Nuk ka viza pa demarkacion – BE-ja demanton kryeministrin

Nuk ka viza pa demarkacion –  BE-ja demanton kryeministrin

Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të qartë edhe një herë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi mbetet kushti kryesor për Kosovën për liberalizimin e vizave.

Insajderi ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e BE-së pasi që kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, u shpreh i bindur se Kosova do tw fitojë liberalizimin e vizave pa u ratifikuar marrëveshja kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Zyra e BE-së edhe një herë ka bërë të qartë se ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi është kërkesë thelbësore për liberalizimin e vizave.

“Siç është paraqitur në propozimin legjislativ të Komisionit Europian të majit 2016, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi është një kërkesë për liberalizimin e vizave. Ndërkohë që i njohim përpjekjet që ka bërë Kosova tani është thelbësore që Kosova të ofrojë kushtet e mbetura të liberalizimit të vizave duke ecur përpara dhe duke ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit kufitar dhe duke rritur përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës në BE-së dërguar Insajderit.

Më tutje Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se liberalizimi i vizave konsiderohet si përgjegjësi e përbashkët e qeverisë dhe opozitës.

“Ne e konsiderojmë atë një përgjegjësi të përbashkët të qeverisë dhe opozitës për të përmbushur kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së

Gjatë ditës së djeshme Haradinaj si kusht kryesor e konsideronte luftimin e korrupsionit, ndërsa shpalosi edhe strategjinë dhe bindjen e tij për liberalizimin e vizave pa e kryer kushtin e BE-së, ratifikimin e demarkacionit.

“Pse i dhashë kaq shumë hapësirë peshë rendit dhe ligjit dhe integrimeve evropiane sepse është kriteri ma kryesor që ekziston, kriteri tjetër është demarkacioni. Brukseli në këtë rast besoj se e vlerëson se kjo temë është në proces dhe nuk duhet të lihet afati kohor i kësaj teme në afatin kohorë për liberalizimin e vizave pra kjo është strategjia e jonë për liberalizimin e vizave”

“Do t’i kemi disa vonesa me demaskimin me Malin e Zi sepse janë procedurale dhe nuk duhet të lidhet afati kohor i liberalizimit të vizave me përmbylljen demarkimit me Malin e Zi. ”, ka thënë dje gjatë ditës Haradinaj.

Haradinaj pasi u zgjodh kryeministër i vendit kishte diskutuar disa herë rreth idesë së liberalizimit të vizave pa miratuar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Z./Insajderi.com

Haradinaj premton viza pa demarkacion, por harron deklaratën e qartë të Mogherinit