BE nuk garanton se muri në Mitrovicë do të rrënohet

BE nuk garanton se muri në Mitrovicë do të rrënohet

Zotimi i Qeverisë së Kosovës për të rrënuar murin e ndërtuar afër urës së lumit Ibër në Mitrovicë mund të mos ketë përkrahjen e Bashkimit Evropian. Një gjë të tillë e ka lënë të nënkuptohet Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila sot ka takuar Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Në një komunikate për media të dërguar pas takimit, thuhet se Apostolova ka theksuar se zgjidhja duhet të jetë funksionale për të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

“Ambasadorja Apostolova e theksoi nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për murin në Veri të Mitrovicës, që do të ishte funksionale për të gjithë”  thuhet në komunikatë.

Por, një zgjidhje që do të kënaqë të dy palët është vështirë e realizueshme. Derisa pala kosovare insiston që muri të rrënohet plotësisht, një gjë e tillë është kundërshtuar nga pala serbe.

Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në gusht të vitit të kaluar për revitalizimin e urës së Ibrit dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë në atë pjesë. Por, kjo urë nuk është hapur ende edhe pse afati i fundit ka qenë 20 janari./Insajderi.com