BE nuk e di kur lëshohet për qarkullim ura e Ibrit

BE nuk e di kur lëshohet për qarkullim ura e Ibrit

Për urën që u dhanë shumë premtime se do të lirohet për qarkullim, as BE-ja që është financuese e projektit për rivitalizim, nuk e di saktë se kur do të hapet.

Në përgjigjet e Zyrës së BE-së në Kosovë, nuk thuhet asgjë konkrete për datën e përfundimit të punimeve për rivitalizimin e urës së Ibrit në Mitrovicë, shkruan gazetametro.net.

Ndonëse u pyet konkretisht për datën e përfundimit sipas kontratës, apo ndonjë datë të përafërt, BE’së i ka mjaftuar të thotë vetëm se punimet po ecin ‘brenda afatit’.

Sipas BE-së, që nuk ka përmendur ndonjë datë, afati i paracaktuar në kontratë është ‘brenda disa muajve të ardhshëm’.

“Punimet në urë po përparojnë mirë dhe ne presim që të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar me kontratë brenda disa muajve të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e BE’së dhënë për gazetametro.net.

Ndërkaq, Gazeta Metro kishte raportuar se Federica Mogherini kishte planifikuar që vizitën në Kosovë ta shfrytëzonte për të përuruar lëshimin e urës, por punimet as nuk i kishin afruar drejt fundit. Kështu, BE’ja tani atë vizitë të Mogherinit e cilëson si ardhje ‘për të parë nga afër përparimin  e punimeve në rivitalizimin e urës’.

“Qëllimi i vizitës së Shefes së Politikës së Jashtme të BE’së, Federica Mogherini të shtunën në Mitrovicë ishte për të parë nga afër përparimin e arritur në punimet për revitalizimin e urës dhe hapësirës përreth”, ka thënë Safet Kabashaj, nga Zyra e BE’së në Kosovë.

Ndërkohë, koha e përfundimit të punimeve ishte shtyer edhe një herë tjetër këtë vit. 20 janari ishte caktuar në Bruksel si datë e përfundimit të punimeve për rivitalizimin e urës së Ibrit, por këtë e kishte pamundësuar ndërtimi i një muri në hapësirën ku po kryheshin punimet.