Kurteshi, për deklarimin e Baljes: Nuk e dëgjova sepse do kisha reaguar

Kurteshi, për deklarimin e Baljes: Nuk e dëgjova sepse do kisha reaguar

Sami Kurteshi po shpaloste disa fleta mbi tavolinën e tij, teksa kryesuesja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje, iu referua si “komuna të Republikës së Serbisë”, katër komunave serbe në veri të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit, derisa po raportonte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës për raportim, deputetja Duda Balje u është referuar katër komunave në veri të vendit si komuna të Serbisë.

“Si pika e dytë është lidhur me diskutimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuara në katër komunat veriore të Republikës së Serbisë”, u shpreh Balje.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, i cili është anëtar i këtij komisioni, ka thënë për Gazetën Insajderi se nuk e ka dëgjuar deklarimin e Baljes.

“Unë në këtë formë nuk e kam dëgjuar se përkundrazi, diskutimi im ka qenë në atë drejtim që në njëfarë mënyre po bëhet përpjekje që të legjitimohen institucione që nuk janë të Republikës së Kosovës për veprime të ndryshme ekonomike në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi ka thënë se nëse do ta kishte dëgjuar konstatimin e deputetes së koalicionit VAKAT, do të kishte reaguar.

“Këtë që po e thoni ju në këtë formë unë nuk e kam dëgjuar dhe nuk besoj që e ka dëgjuar edhe ndokush prej anëtarëve të Komisionit, sepse do të kishim reaguar”, ka thënë Kurteshi për Gazetën Insajderi.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka bërë të ditur bisedat që i kanë pasur me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) rreth çështjes së faturimit të rrymës së veriut në faturat e qytetarëve të pjesës tjetër në vend.

Sipas Avokatit, janë 8 milionë euro që janë inkasuar nga qytetarët për t’i mbuluar shpenzimet e rrymës në veri. /Insajderi.com