Nuhi Uka shpallet i pafajshëm për një nga katër rastet e korrupsionit

Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, ka hedhur pas krahëve një aktakuzë që rëndonte mbi të prej kohësh. Me vendim të Gjykatës së Apelit, ai është shpallur i pafajshëm vendime gjyqësore të paligjshme që ka të bëjë me prona të shtetit. Për këtë rast ai ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht nga shkalla e parë.

Nuhi Uka shpallet i pafajshëm për një nga katër rastet e korrupsionit

Nuhi Ukës i ka shkuar një lajm i mirë në Burgun e Lipjanit këtë të premte pasdite. Është njoftuar se Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm për një nga katër rastet e korrupsionit me të cilat ballafaqohet.

Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme, dy vjet pasi Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar me dy vjet burgim me kusht.

Apeli ka thënë se nuk ka prova se Uka ka pasur lidhje me nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme nga vartësit e tij, për çka, ka fituar pafajësinë.

Rasti për të cilin është shpallur i pafajshëm ka të bëjë me pronat e shtetit që ishin tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Vlera e tyre sipas Gjykatës ka qenë 60 milion euro.

15 vendime gjyqësore të paligjshme vlerësohet se e kanë kryer këtë dëm.

Të pafajshëm janë shpallur edhe ish-gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Rrahman Retkoceri, Ferid Bislimi, Ekrem Agushi, zyrtarja e ndërmarrjes shoqërore “KBI Kosova Export”, Hasnije Balidemaj dhe dhëndërri i Nuhi Ukës, avokati Gazmend Gashi.

Apeli ka vërtetuar dënimet për ish-gjyqtarët e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Olga Janiqjeviq, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli dhe Tihomir Mikariq për veprën penale të nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme.

Shpalljen i pafajshëm të Nuhi Ukës, e ka konfirmuar për Insajderin, avokati Tahir Rrecaj.

“Gjykata nuk ka gjetur prova se Uka ka kryer veprën penale. Gjykata ka thënë se gjyqtarët janë autonom në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore dhe Nuhi Uka nuk ka pasur dijeni e as ndikim në vendimet e vartësve të tij”, ka thënë Rrecaj.

Dy vjet më parë, Gjykata kishte shpallur fajtor të gjithë këta gjyqtarë për shkak të veprimeve korruptive me pronat e shtetit gjatë viteve 2006-2007.

Ato prona janë të ndërmarrjes së njejtë për të cilën është arrestuar Azem Syla dhe është hapur hetim për 51 persona, përfshirë Nuhi Ukën dhe dhëndërrin e tij, Gazmend Gashi.

Vartësve të Ukës, ish-gjyqtares, Ollga Janiçijeviq i është vërtetuar dënimi prej 18 muajsh burgim me kusht. Me një vit është dënuar Tihomir Mikariqit. Me tetë muaj me kusht është dënuar Shemsije Shehollin, e Sanije Muçollin me gjashtë muaj burgim.

Ish-gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi e Rrahman Retkoceri që tashmë janë shpallur të pafajshëm nga Apeli, nga shkalla e parë ishin dënuar me nga nëntë muaj burg me kusht.

Për dhënie të ndihmës në nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme ishte dënuar, zyrtarja e “KBI-së” Hasnije Balidemaj me një vit burgim.

Gjyqtarët janë dënuar sepse është vërtetuar se gjatë periudhës 2006-2007, me qëllim që të sigurojnë përfitim material të paligjshëm për vete, nxorën vendime të paligjshme në 15 raste të tokës në lidhje me Ndërmarrjet Shoqërore (NSH) në Kosovë, duke e kryer kështu veprën penale të Nxjerrjes së Vendimit të Paligjshëm Gjyqësor.

Ish-gjyqtarja Sanije Muqolli kishte nxjerr dy vendime të tilla. Kolegia e saj, Shemsije Sheholli, një, Olga Janiçijeviq nëntë raste dhe Tihomir Mikariq tri raste në Gjykatën Komunale në Prishtine. Një rast ankimimi ishte vendosur nga Rrahman Retkoceri me anëtarë të trupit gjykues Ferid Bislimi dhe Ekrem Agushi. Hasnije Balidemaj kishte përfaqësuar NPSH në procedurat gjyqësore në të gjitha 15 rastet.

Avokati Gazmend Gashi kishte përfaqësuar paditësit në gjashtë raste.

Nuhi Uka ishte kryetar i Gjykatës në kohën kur këto 15 raste ishin administruar dhe gjykuar.

Të gjitha këto ishin vendosur pa asnjë referim nga ana e Dhomës Speciale të Gjykatës Supreme, ashtu siç parashikohej në Rregulloren 2002/13 të UNMIK-t.

15 kërkesat pronësore-juridike për tokën, që janë objekt i aktakuzës, ishin të bazuara dhe zgjidhura sipas dispozitave të Ligjit mbi Obligacionet, që kishte hyrë në fuqi më 1 tetor 1978. Ky ligj i veçantë zbatohet vetëm për kërkesat pronësore-juridike që përfshijnë kontratat/obligacionet që janë vërtetuar pas hyrjes në fuqi te këtij ligji.

Në të gjitha 15 rastet, kontratat/obligacionet, që ishin objekt i kërkesave pronësore-juridike përkatëse, ishin trajtuar në vitet 1950 dhe 1960.

Ligji mbi Obligacionet nuk ka qenë i aplikueshëm për këto për 15 raste, kështu që, ai nuk ka mundur të përdorej si bazë ligjore për t’ju kthyer tokën paditësve, siç ishte bërë nga të pandehurit.

Pos tjerash, Gjykata që drejtohej nga Nuhi Uka këto raste i kishte trajtuar me prioritet.

“Rastet që kanë lidhje me NPSH-të nuk ishin raste të cilat duhet të trajtoheshin si prioritet, sepse gjykatat supozohet se duhet t’i zgjidhin rastet sipas një rendi kronologjik. Të vetmet raste që duhet të trajtoheshin me prioritet ishin: rastet e dhunës familjare, rastet e alimentacioneve, pengimet për zotërim”, thuhej në aktakuzë.

AKM-ja i kishte kërkuar Ukës që të ndalonte këtë mënyrë veprimi të paligjshme të gjykatësve që ishin nën mbikëqyrjen e tij dhe të raportonte mbi çdo veprimtari të paligjshme.

“Ai fillimisht nuk ishte bindur dhe kështu u kishte mundësuar gjykatësve që të nxirrnin vendime të paligjshme gjyqësore në këto 15 raste”, thuhej në aktakuzë.

Në vitin 1997, NPSH KBI ishte ndarë në shtatë NPSH individuale dhe kishte pushuar se ekzistuari në vitin 1997. Pas ndarjes se NPSH KBI, e pandehura Hasnije Balidemaj dhe eprori i saj, Iljaz Haxhiu, ishin punësuar nga njëra prej shtate NPSH-ve, saktësisht nga NPSH ferma e derrave. Ishte evidentuar se Iljaz Haxhiu ishte drejtori i NPSH Ferma e Derrave dhe e pandehura Hasnije Balidemaj ishte e punësuar.

Pas shitjes, 20 % u ndahej formalisht gjithë punonjësve të NPSH-se. Në vitin 2006, NPSH Ferma e Derrave u likuidua/privatizua dhe u shit për 1.010.000,00 Euro. Rrjedhimisht të gjithë punonjësit e NPSH Ferma e Derrave dolën të papunë nga AKM-ja.

Në vitet 1950 dhe 1960, gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, shumë njerëzve u ishin marrë parcelat e tokës nga qeveria për shkak të procesit të bashkimit të tokave që ndodhi pas Luftës se Dytë Botërore. Pronarët e pasurive të paluajtshme ishin shpërblyer me shuma të vogla të hollash. Për këtë qellim, pronarët përkatës ishin detyruar që të nënshkruanin kontrata ku ja transferonin tokat e tyre shtetit me qëllimin për të formuar kooperativa bujqësore me të mëdha, që në rastin tonë paraqitet në formën e NPSH-së.

Në vitet 1990, vetë këta persona apo trashëgimtarët e tyre fituan mundësinë që të kërkonin kthimin e tokave të tyre, duke depozituar kërkesat pronësore-juridike pranë’ Komisionit, i cili ishte krijuar posaçërisht për të marrë në shqyrtim këto kërkesa. Ky Komision vijoi punën për 10 vjet dhe ishte i vetmi organ i autorizuar për të marrë në shqyrtim kërkesa të tilla.

Rregullorja 2002/135 e UNMIK-t, e miratuar me 13 Qershor 2002, vendosi për një proces ligjor për shpërndarjen e tokës në pronësi shoqërore qe ishte trashëguar nga autoritetet e UNMIK-t në Kosovë qe nga regjimi i mëhershëm. Ajo vendosi krijimin e një Dhome Speciale pranë Gjykatës Supreme të Kosovës për të mare mbi vete autoritetin e vetëm, për të vendosur mbi çështjet e të drejtave mbi pronat. Kërkesa të tilla për të drejtën e pronësisë ishin bërë edhe nga pronarët origjinalë apo pasardhësit e tyre pranë Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, një organ që ishte krijuar për të menaxhuar procesin e shpërndarjes se tokës në pronësi shoqërore./Insajderi.com