Norvegjia mbyll sinjalin “FM”

Norvegjia mbyll sinjalin “FM”

Norvegjia është i pari vend në botë që fillon mbylljen e sinjaleve analoge të radios. Vendi nordik nis kështu ndërprerjen e sinjalit “FM” në orën 11:11, sipas orës lokale, të mërkurën, për t’ia lënë vendin transmetimeve audiodixhitale.

Sinjalet numerike kanë një cilësi më të mirë se ato analoge dhe rreth një të tetën e kostos të tyre. Por ka edhe nga ata, që janë të shqetësuar për pasojat që ky ndryshim do të ketë te të moshuarit, apo drejtuesit e mjeteve.

Sipas një sondazhi të zhvilluar në dhjetor, dy të tretat e norvegjezëve mendojnë se qeveria po vepron shumë shpejt. Në përfundim të procesit, rrjetet kombëtare do të jenë të disponueshme vetëm në transmetime numerike, ndërsa stacionet lokale do të kenë 5 vite kohë për të bërë kalimin.

Pavarësisht se rreth 70 për qind e dëgjuesve në Norvegji përdorin aparatura dixhitale për të dëgjuar stacionet e tyre të preferuara, kritikët thonë se shumë njerëz do të detyrohen të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, nëse do të duan të vazhdojnë të dëgjojnë radio.

Një radio e re makine, për shembull, kushton në Norvegji afro 500 dollarë. “Norvegjia nuk është e përgatitur për këtë. Ka miliona radio në shtëpi, apartamente dhe barka, që nuk do të punojnë më dhe vetëm 25 për qind e makinave në vend kanë radio dixhitale apo adaptues”, thonë kritikët, njofton tch.

Sidoqoftë, zyrtarët janë të vendosur ta bëjnë këtë ndryshim, ndërkohë që vende si Zvicra dhe Britania, që po shqyrtojnë mundësinë e kalimit te rrjetet dixhitale, pa dyshim do të ndjekin me kureshtje çfarë do të ndodhë muajt e ardhshëm.