“Nominimi i Haradinajt për kryeministër ishte goditje për PDK-në”

“Nominimi i Haradinajt për kryeministër ishte goditje për PDK-në”

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, zëra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), thonë se koalicioni me AAK-në dhe Nismën i ka sjellë shumë humbje kësaj partie.

“Zgjedhjet Parlamentare i humbëm, dolëm partia e tretë, nga partia e parë, si pasojë e një vendimi tuaj, z. Veseli për koalicion me partitë AAK-Nisma 50 me 50 kandidatë të listë, që nënkuptonte në start humbin mbi 50 mijë vota, sepse nuk ishin në listë 55 emra të autoriteteve të PDK-së”, ka shkruar Shukri Buja në letrën e tij drejtuar kreut të PDK-së, Kadri Veseli, përmes së cilës e ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga dega e partisë në Lipjan.

Madje ai ka thënë se nominimi i Haradinajt për kryeministër nga PDK-ja, ka qenë goditja tjetër e radhës për këtë parti.

“Nominimi i zotit Haradinaj, ishte vendimi i dytë goditët që ndikoi në mosveprim të shumë militantëve të partisë”, ka shtuar më tej Buja.

Ai ka thënë se edhe lista e PDK-së ka qenë skandaloze, duke e renditur këtë si vendim të tretë të gabuar të PDK-së.

“Lista nga radhët e PDK-së ishte skandaloze, si vendim i tretë i gabuar. Të gjitha këto vendime ishin jostatutare sepse koalicionet, nominimi për kryeministër, dhe lista kandiduese janë kompetencë vendimmarrëse e Këshillit Drejtues e jo e Kryetarit e as e Kryesisë”, shkruhej më tej në letër.

“Ishin në listë dhe humbën në zgjedhje nënkryetarët e PDK-së. Dhe partia vazhdon sikur s’ka ndodhur asgjë, nuk reflekton, nuk analizon vazhdon me avazin e vjetër”, ka shkruan ndër tjera Buja në letrën drejtuar kreut të partisë, Kadri Veseli.