Njeriu i Adem Grabovcit shpallet i pafajshëm

Njeriu i Adem Grabovcit shpallet i pafajshëm

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar nga akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare Sali Mekajn, ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte ardhur në krye të kësaj gjykate në vitin 2011 me ndihmën e ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj dhe tre të pandehurve tjerë: Vlora Goranit, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj, të cilët po ashtu u liruan sot nga akuzat.

Mekaj që ishte arrestuar në korrik të vitit 2015 po akuzohet për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ricilësimin juridik të veprave penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sali Mekaj në cilësinë e personit zyrtar “ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë”.

Ndërkaq, Sali Mekaj njihet për lidhjet me protagonistin e përgjimeve dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin. Se Mekaj kishte arritur të zgjedhej në krye të Gjykatës së Apelit me ndihmën e Adem Grabovcit, është bërë e qartë në skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave”.

Dosja e Shefave VIII: Telefonata që solli Salih Mekajn në krye të Gjykatës së Apelit

Në përgjimet e publikuara nga Insajderi, dëshmohet sesi Mekaj ishte emëruar në krye të Gjykatës së Apelit me ndihmën e Xhevat Grabovcit, kushëri i Adem Grabovcit i cili kishte ndërmjetësuar që Mekaj të zgjidhet kryetar i Gjykatës më të madhe në Kosovë.