Njeriu i afërt me Trump ende ka rezerva për pavarësinë e Kosovës

Njeriu i afërt me Trump ende ka rezerva për pavarësinë e Kosovës

John Bolton është një nga emrat më të njohur të Partisë Republikane amerikane dhe ish-ambasador i Kombeve të Bashkuara. I njohur si një nga “skifterët” e Presidentit Bush, njeriu që u përfol si kandidat i mundshëm për Sekretar Shteti dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare, është sot një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump.

Sokol Balla: Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, patët deklaruar se shpallja e njëanshme e saj do të sillte destabilitet. Bëhet fjalë për shkurtin e vitit 2008. A i qëndroni sërish asaj deklarate?

Bolton: Unë mendoj se rreziku i destabilizimit mbetet dhe ka influenca të jashtme që do të donin të shfrytëzonin tensionet që ende ekzistojnë në Ballkan, që për fat të mirë nuk kanë qenë fort të dukshme vitet e fundit. Por kjo nuk do të thotë që tensione nuk ka. Nuk duhet të nënvlerësojmë situatën, edhe pse në shpërfaqje gjërat duken të qeta dhe të patrazuara, por unë jam në dijeni që ka forca të jashtme që duan të shfrytëzojnë këtë përçarje që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në Ballkan dhe për këtë duhet të tregojmë kujdes.

Sokol Balla: Ka një shqetësim në rritje në përgjithësi dhe të BE në veçanti për destabilitetin në të cilin mund të futet Ballkani. Kryesisht lidhet, ashtu siç thatë edhe ju, me ndikimin e Rusisë dhe të Turqisë. Pra për rikthim tek trazirat, e gati 20 viteve më parë, me valë të mëdha migrimi dhe kriza të mëdha sociale. A duhet të jemi realisht të shqetësuar? 

Bolton: Mendoj që vetë BE duhet të shqetësohet, sidomos për flukset e refugjatëve që kanë sjellë në Evropë valë që nuk kanë pasqyruar konsultimet e bëra mes vendeve. Unë kam ca kohë që jam i shqetësuar se Bashkimi Evropian do të duhet të ishte fokusuar më shumë me integrimin ekonomik dhe më pak në integrimin politik për gjithë Evropën. Duhet të ishte më mirë. Unë e kuptoj pse vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore janë disi të shqetësuara sa i takon vendimmarrjes që vjen nga Brukseli apo nga kryeqytetet e tjera Evropiane, vendimmarrje ku nuk marrin pjesë. Unë mendoj se Evropa ndodhet përballë vështirësive ekonomike dhe sociale të cilat nuk mund t’i fshehë.

Sokol Balla: Ju, në atë deklaratë të vitit 2008 për pasojat që mund të kishte shpallja e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme, patët folur për një angazhim pozitiv të Rusisë, ndërkohë që Moska sot akuzohet për përfshirje në Shtetet e Bashkuara, deri në procesin zgjedhor të nëntorit të kaluar. Tani Gjermania ka të njëjtën frikë dhe ndërkohë 11 Senatorë amerikanë kanë shprehur frikën se e njëjta gjë mund të ndodhë dhe në rajonin e Ballkanit, ku disa vende këtë vit janë në proces politik zgjedhor. A ka baza për të besuar ekzistencën e një ‘gogoli rus’, apo ky është thjesht një imazh mediatik?

Bolton: Mendoj se në SHBA ka patur raporte publike se Rusia është përpjekur që të ndikojë në zgjedhje, jo se ka qenë në favor të një kandidati apo një, por thjesht për të kompromentuar besimin që kanë amerikanët tek institucionet e tyre. Ka patur shumë raporte për përpjekje të ngjashme edhe në gjithë botën. Ne do të bëjmë një shqyrtim të të gjithë përfshirjes ruse. Unë e di që shumë ligjvënës amerikanë janë të shqetësuar në lidhje me këtë. Është e papranueshme për cilëndo qeveri që ndërhyn në zgjedhjet e një vendi tjetër. Unë mendoj se, nëse do të bëhet publike një influencë e tillë, do të ketë pasoja. Nuk do të ketë një rikthim të Paktit të Varshavës dhe influencës sovjetike në Europën Lindore dhe Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë. Popujt nuk duan t’i kthehen kësaj periudhe. Amerika do të jetë shumë vigjilente përmes NATO-s dhe marrëdhënieve dypalëshe që kjo të mos ndodhë.

Sokol Balla: Ju thoni që SHBA do të punojnë, por në Ballkan nuk e kemi situatën aq pozitive. Në Maqedoni jemi në kushtet e thuajse një grushti shteti. Presidenti Ivanov refuzon t’i japë mandat një mazhorance parlamentare për të formuar qeverinë, në Shqipëri jemi në një ngërç politik, Kosova kërkon në mënyrë të njëanshme të ngrejë ushtrinë e saj. Çfarë mund të bëjë administrata Trump kur ka një perceptim që rajoni nuk është në vëmendjen e SHBA aq sa ishte më parë?

Bolton:  Unë mendoj se ka shumë kërkesa që po vendosen mbi administratën e Trump për përkeqësimin e situatës në mbarë botën. Unë mendoj se është shumë e qartë për kongresmenët, senatorët dhe të tjerët në SHBA që ka një cënueshmëri në Ballkan, por edhe në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Kemi dëgjuar para një dekade Putinin që ka thënë se prishja e Bashkimit Sovjetik ka qenë një nga katastrofat e shekullit të 20-të, por ne nuk mendojmë kështu. Ne nuk i neglizhojmë mundësitë që Rusia jo vetëm do të përpiqet të rindërtojë Bashkimin Sovjetik, por të vendosë hegjemoninë ruse në këtë territor dhe territore të tjera. Kemi parë presion mbi Gjeorgjinë, apo përdorimin e njëanshëm të forcës për të ndryshuar kufijtë në Ukrainë, kemi parë ndërhyrjet në Ballkan, kemi parë rrëzikun përmes luftës kibernetike. Unë mendoj se ekziston ky rrezik, por ka edhe rreziqe të tjera, siç është radikalizmi  dhe terrorizmi që mund të shfrytëzojnë rrethanat në rajon. Administrata e Trump e di që njëra prej vështirësive është situata në rajon. Prej shumë vitesh SHBA, administrata republikane, por edhe demokrate i kanë dhënë BE më shumë hapësirë veprimi nga çdo të duhet t’i kishim dhënë për të vepruar këtu në rajon. E kuptoj që vende si Shqipëria duan të anëtarësohen në BE, por ama nuk duhet harruar siguria, paqja dhe stabiliteti i Europës, që vjen përmes NATO-s dhe jo përmes BE.

Sokol Balla: Pra, shqiptarët duhet të jenë të qetë sepse në vija të trasha, politika amerikane në Ballkan dhe për shqiptarët, ky prioritet nuk do të ndryshojë as në administratën Trump?

Bolton: Po të shikojmë mjedisin me të cilin përballet SHBA në gjithë botën për shkak të vendimit që bëri administrata Obama për të pakësuar influencën amerikane në mbarë botën, për shkak të mendimit të tij se Amerika ishte pjesë e problemit dhe jo zgjidhjes, strukturat politike që u bënin ballë presioneve janë dobësuar në mbarë botën, ndaj ndodhemi në një situatë të rrezikshme në detin e Kinës Lindore, po ashtu me programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, por edhe përpjekjet e Rusisë për të vendosur hegjemoninë si në Lindje, ashtu edhe Perëndim e Ballkan. Ka shumë problematika dhe nuk mund t’u jepet zgjidhje e njëkohëshme, por kjo nuk do të thotë që nuk jemi në dijeni të problemeve.