Njëri merret me tokën e RTK-së, tjetri me shumë takime – dy zv.ministrat tregojnë rutinën e tyre

Kritikat për numrin e lartë të zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj, një zv/ministër ka dhënë një përgjigje se si ata do ta arsyetonin pozitën që mbajnë. Zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj thotë se kritikat ndaj numrit të madh të zëvendësministrave do të mund të ndaleshin nëse secili prej tyre do ta merrte një punë madhore dhe ta kryente atë, raporton Insajderi.

Njëri merret me tokën e RTK-së, tjetri me shumë takime – dy zv.ministrat tregojnë rutinën e tyre

Me mbledhje të mëngjesit dhe me mbledhje në fund të orarit fillon dhe përfundon një ditë e zakonshme për një zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike. Një ditë e tillë fillon edhe për zëvendësministrin Nerjovajn.

Thotë se ditën e punës si zëvendësministër e fillon me kafen e mëngjesit së bashku me zëvendësministrin tjetër Sami Hajdarajn dhe ministrin Mahir Yagcilar.

Nerjovaj thotë se temë diskutimi në “kafen e mëngjesit” është puna dhe sfidat që përballën zv/ministrat në sektorët ku janë përgjegjës.

“Dita e punës e zakonshme ( e hëna ) fillon me takimin e mëngjesit ose si ne e quajmë kafen e mëngjesit në kabinetin e ministrit duke referuar secili për punën që është bërë dhe sfidat që kemi secili në sektorin që e “ mbikëqyr “ apo më mirë me thanë e ka përgjegjësi. Shpalosim punën që është bërë dhe konsultohemi si treshe çka mund të bëjmë më mirë në sfidat që kemi për ndonjë ngecje eventuale”, thotë Nerjovaj për Insajerin.

Ai thotë se në bazë të përgjegjësive që kanë vazhdon pjesa tjetër e ditës. Për Nerjovën dita pason me një takim 30 minutash me drejtoreshën e IKAP-it, delegacionet e partnereve të projekteve si dhe me përfaqësuesit e institucioneve vendore.

“Pastaj marrim detyrat dhe secili me stafin që menaxhon organizojmë takimin e përbashkët dhe diskutojmë për projektet në zhvillim dhe ecurinë e tyre. Unë me drejtoreshën e IKAP-it dhe dy drejtorët e departamenteve në IKAP , për Financa dhe Zhvillim të politikave. Mbajmë takime të cilat zgjasin deri 30-40 minuta”.

“Pjesa tjetër e kohës shkon me pritjen e delegacioneve për interesa dy palëshe , në të shumtën e rasteve me partner të projekteve si GIZ-i , ACRA etj. Një pjesë e takimeve ka të bëjë edhe me përfaqësues të institucioneve vendore të interesuara për ecurinë e hartimit të tri ligjeve bazike dhe involvimit të njësiteve të tyre në këto ligje, por gjithmonë me prezencë të stafit për hartimin e këtyre ligjeve. Në përfundim të orarit ulem dhe shënoj ecurinë e ditës dhe konkluzionet që kanë dalë nga këto takime të përbashkëta duke plotësuar edhe hap pas hapi raportin tim të punës për dorëzim tek ministri dhe kryeministri”, thotë Nerjova.

Çka punon zv/ministri Bujar Nerjovaj

Qysh në takimin e parë të zv/ministrit Nerjovaj me ministrin e Yagcilar ai thotë se është përcaktuar të merret me IKAP-in i cili ka për qëllim zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, aftësimit profesional dhe zhvillimit të kapaciteteve të Shërbyesve Civil të nivelit qendror dhe lokal.

Thotë se ministria ku ai është i angazhuar punojnë shumë staf civil si i tillë ai thotë se është i obliguar që të pres  delegacione nga ministritë tjera dhe organizata ndërkombëtare dhe vendore të cilat janë bashkëfinancuese të  projekteve të përbashkëta me IKAP-in.

“Duke pasur parasysh që kjo ministri ka një numër të madh të stafit punonjës dhe të detyrave karshi ministrive tjera shpesh herë më është deleguar që të pres  edhe delegacione nga ministritë tjera dhe organizata ndërkombëtare dhe vendore të cilat janë bashkëfinancuese të  projekteve të përbashkëta me IKAP-in.Në disa takime të Qeverisë kam përfaqësuar ministrinë e MAP-it , në mungesë të ministrit z. MahirYagcilar”, ka thënë ai.

Çka punon zv/ministri i dytë në Administratën Publike

Ministria e Administratës Publike aktualisht ka të emëruar dy zëvendësministra ashtu siç i kishte pasur edhe në të kaluarën. Zv/ministri tjetër në këtë ministri është Sami Hajdaraj që vije nga Nisma Socialdemokrate.

Ai thotë se si zv/ministër është i angazhuar në departamentin e standardeve dhe të politikave të inxhineringut si dhe të menaxhimit të ndërtesave qeveritare.

“Si zëvendësministër i Ministrisë se Administratës Publike kam ndihmuar Ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të këtij institucioni në dhënien e instruksioneve në funksion te një administrate efikase dhe te paanshme. Meqë, fushë veprimtaria e MAP-it është e gjerë, në konsultim me Ministrin, punën time e kam përqendruar në  Departamentin e  Standardeve dhe të Politikave të Inxhinieringut dhe të Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare”, thotë ai.

Hajdaraj thotë se gjatë punës së tij si zv/ministër 13 projekte të parapara kanë përfunduar deri më tash 6 të tilla.

“Gjate kësaj periudhe , sa jam në këtë pozitë, së bashku me stafin jemi munduar që t’a zbatojmë planin e punës ashtu siç është aprovuar në Qeveri, duke u bazuar në projektet që kanë qenë të parapara me buxhet dhe me objektivat e MAP-it. Fjala është për 13 projekte, të cilat në këtë fazë patën filluar të hartohen. Falë angazhimit tim personal, 6 prej këtyre projekteve tashmë janë të gatshme”.

“Po kështu, për procedura të mëtejme janë përgatitur edhe nja 16 projekte të cilat kanë të bëjnë, kryesisht me renovime. Në ndërkohë, bashkë me stafin profesional të MAP-it, kam inspektuar punimet në 15 projekte anë e kënd Kosovës të cilat janë në ndërtim e sipër”, ka thënë ai për Insadjerin.

Hajdaraj po ashtu ka thënë se si zv/ministër është i angazhuar edhe në marrëveshjen për 8 hektarë tokë në zonën ‘Prishtina e Re’ e cila do të shpërbejë për Radio Televizionin e Kosovës.

“Jam angazhuar në lidhjen e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me përfaqësuesit e Transmetuesit Publik- RTK, për dhënien e 8 hektarëve për ndërtimin e ndërtesës së RTK-së në zonën kadastrale Prishtina e Re.Gjate kësaj kohe jam angazhuar edhe në hartimin e Pakos Legjislative për reformat në administratën publike, konkretisht në Ligjin për Paga , Ligjin për Zyrtaret Publikë dhe në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura. Veç kësaj, jam angazhuar edhe në  procesin e racionalizimit te agjencive ku kemi formuar Sekretariatin për Racionalizim dhe jemi duke përgatitur Koncept dokumentin që do të dërgohet në Qeveri dhe i paraprinë racionalizmit”, ka thënë ai.

Ministria e Administratës Publike udhëhiqet nga Mahir Yagcilar që vije nga KDTP dhe ka dy zëvendësministra Bujar Nerjoven dhe Sami Hajdarajn./Insajderi.com