“Njerëzit e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe vula të Komunës së Prishtinës”

“Njerëzit e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe vula të Komunës së Prishtinës”

Anëtari i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka mbajtur një konferencë për media, pasi që sot Hajdar Hoxhës i është ndalur hyrja në ndërtesën e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Azemi ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që sipas tij njerëzit e afërm me PSD-në, po falsifikojnë dokumentet dhe vulat zyrtare të Komunës së Prishtinës, në mënyrë që të kenë sa më shumë ndikim në ndërmarrjet publike.

Ai ka dënuar ndalimin e Hajdar Hoxhës, për të hyrë në objektin e Ndërmarrjes Publike Banesore.

“Edhe pse për vetëgjygjësi kemi degjuar vetëm nga histori të vjetra, sot po këtë fenomen tentuan ta aktualiziojnë antarët e PSD-së së Shpend Ahmetit, të ciët duke shkelur çdo ligj dhe me forcë tentuan ta marrin kontrollin e kësaj ndërmarrje. Sot drejtori i Shpend Ahmetit, në Drejtorinë e Pronës së bashku me asambleistin që ka konflikt interesi në NPB-në, Bashkim Beha dhe anëtarit tjetër të tyre Hajdar Hoxha me rreth 8 persona të sigurimit privat, pas orës 05:00 të mëngjesit tentuan ta okupojnë këtë Ndërmarrje, por falë rezistencës se punëtorëve të cilët e njoftuan menjëherë Policinë, kjo Ndërmarrje është ende publike!”, tha Egzon Azemi.

“Ne, në asnjë mënyrë nuk do lejojmë rikthimin e NPB-së buzë falimentimit dhe në shërbim të interesave private ashtu siç kanë tentuar të bëjnë edhe në disa ndërmarrje tjera. Ndërmarrja Publike Banesore është dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duhet të vazhdojë projektet e saj që janë në dobi të qytetit tonë. Ne nuk do të lejojmë që këtë ndërmarrje ta kthejnë në shërbim të miqve të Shpend Ahmetit”, thuhet në reagimin e VV-së.

“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve publike që të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me menaxhmentin valid të NPB-së, në mënyrë që projektet në dobi të qytetarëve, që kanë filluar për herë të parë që nga pas lufta si renovimi i banesave kolektive dhe mirëmbajtja e tyre, të vazhdojnë sepse nga këto projekte përfitojnë direkt të gjithë qytetarët e Prishtinës”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes  Vetëvendosje.

Gjatë ditës së sotme ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesor, Hajdar Hoxha është ndaluar  të hyjë në objektin e tij të punës.

Këtë lajm e kishte bërë publik Drejtori i Pronës dhe anëtar i komisionit të aksionarëve të NPB, Dren Kukaj.

Ai kishte thënë se Hajdar Hoxha është drejtor i jashtligjshëm dhe se atë po e mbron policia bashkë me Vetëvendosjen.

“Sot, ushtruesit te detyrës se Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha i është ndaluar hyrja ne Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ngjau për shkak se aktiviste te punësuar te VV-se në këtë ndërmarrje ishin organizuar t’ia garantojnë qëndrimin e jashtëligjshëm Nexhat Kryeziut (Kujto: protagonistin e skandalit ala pronto per ndarjen e lokaleve). Çuditërisht atyre ne ndihme i erdhi edhe Policia e Kosovës”, ka shkruar Kukaj.

Disa ditë më parë Drejtues të Komunës së Prishtinës i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë që të ndërhyjnë në NPB, pas publikimeve të incizimeve në lidhje me kurdisjen e tenderëve në këtë ndërmarrje, nga Gazeta Insajderi.