Me njerëz të dyshimtë krah vetës – Veseli premton se të korruptuarit nuk rikthehen në PDK

Me njerëz të dyshimtë krah vetës – Veseli premton se të korruptuarit nuk rikthehen në PDK

Kur Kadri Veseli shkoi të dielën në Komunën e Lipjanit, deklaroi se njerëzit e korruptuar nuk kanë vend në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që udhëhiqet nga ai.

Teksa ishte duke folur për ata njerëz që nuk janë më pjesë e PDK-së, kryetari i PDK-së tha se të korruptuarit nuk do të lejohen të rikthehen në parti. Veseli theksoi se anëtarët e korruptuar që janë larguar nga partia, do ta kenë të vështirë të rikthehen.

“Një pjesë që na kanë shkuar në shumë parti, i kemi këta kundërkandidat, shumë kanë shkuar, shumë kanë me pas zor me u kthye, sepse s’kemi me i lënë ata që janë të korruptuar, le ta dijë çdo kush”, ka thënë sot Veseli, në Lipjan.

Megjithatë, Veseli nuk përmendi dy anëtarë të dyshimtë të PDK-së: Adem Grabovcin e Besim Beqajn; po ashtu nuk foli as për anëtarin e PDK-së që ishte dënuar për mashtrim me vota Florim Shkretën.

Kadri Veseli gjatë fushatës zgjedhore në Lipjan

Madje, të tre këta anëtarë vlerësohen lartë në partinë e Veselit. Besim Beqaj është emëruar ministër i Inovacionit në qeverinë Haradinaj, ku bën pjesë edhe PDK, ndërkaq Florim Shkreta është përzgjedhur kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Siç raportoi Gazeta Online Insajderi në muajin shtator të këtij viti, Besim Beqaj pritet që brenda këtij viti të akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të të drejtave të barabarta të qytetarëve të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin e “Dosjes së Shefave”.

Burime nga Prokuroria i kanë thënë Insajderit se Beqaj, ish ministër i Zhvillimit Ekonomik, së bashku me protagonistë të tjerë të “Dosjes së Shefave” pritet të akuzohen lidhur me veprimet e tyre të paligjshme të zbuluara pas publikimit të përgjimeve vitin e kaluar.

Përveç emërimit të Beqajt si ministër në qeverinë e sapoformuar të Kosovës, Partia Demorkatike e Kosovës (PDK) ka kandiduar për kryetar të një komune një person të dënuar për mashtrim me vota në zgjedhjet qendrore të vitit 2010.

Florim Shkreta është kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, i cili ishte dënuar me gjashtë muaj burg në vitin 2010. Gjykata kishte konstatuar se Shkreta kishte zvogëlouar votat e fituara të ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe Fatmir Limajt.

E Prokuroria e Shtetit tashmë është duke e hetuar Adem Grabovcin, ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe aktualisht anëtarin e partisë që udhëhiqet nga Kadri Veseli, i cili po hetohet lidhur me dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetin zyrtar, po ashtu lidhur me rastin e “Dosjes së Shefave”. /Insajderi.com