Një vrasje dhe tri vdekje në komunikacion brenda një dite në Kosovë

Një vrasje dhe tri vdekje në komunikacion brenda një dite në Kosovë

Një person është vrarë dhe tre të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

E diela filloi me një vrasje të një 29-vjeçari në Komunën e Deçant, ndërsa autori i vrasjes dyshohet të jetë një 18-vjeçar i cili është kapur nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë.

Viktima 29-vjeçar dyshohet se u vra nga djali i pronarit ku ishte duke punuar, kishte njoftuar Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme.

“Sot në rr. “Luan Haradinaj” në Deçan ka ndodhur një plagosje me armë zjarri por si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Autor i vrasjes është djali i pronarit Sh.G (18-vjeç), të kompanisë “Gogaj-ag” ku viktima A.T (29-vjeç) punonte. Viktima A.T. (1989) fillimisht është dërguar ne QMF-Deçan por si pasoj e plagëve të rënda i njëjti është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, sipas ekipit mjekësor viktima ka arritur pa shenja jete në spitalin rajonal në Pejë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Mirëpo nuk shkoi edhe shumë në kryeqytet një këmbësor u godit për vdekje nga një makinë tek lagjja, “Dardania”, në Prishtinë.

65-vjeçari i goditur nga makina kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Ky rast ndodhi rreth orës 16:30. Ku si pasojë e këtij aksidenti mbeti i lënduar edhe një fëmijë jo më shumë se 2-vjeç.

Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovë, tregoi për Gazetën Insajderi, se është arrestuar një person i dyshuar, nagësës i veturës i cili i përkiste moshës 25-vjeç.

“Rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën Bill Klinton në Prishtinë, ku kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një veturë e tipit BMË,  si pasoj e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësori V.M. mashkull 65 vjeç i cili  nuk ka përballuar plagët e shkaktuara dhe i njëjti në vend ngjarje ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje. Lidhur me këtë aksident është arrestuar ngasësi i veturës E.B 25 vjeç, ndërkohë që me rastin  po merret njësiti i trafikut”, kishte thënë Ahmeti për Insajderin.

E aksidentet në trafik nuk u ndalën, rreth orës 21:00, një 6-vjeçe humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në magjistralen Gjakovë – Prishtinë, më saktësisht në fshatin Kramovik.

Përveç vdekjes së 6-vjeçes të lënduar mbetën edhe nëntë persona tjerë, kishte thënë Albin Sahatqija për Gazetën Insajderi.

“Një veturë dhe një kombi janë përfshirë në një aksident. Dyshohet se janë nëntë të lënduar, një fëmijë që ka qenë pasagjer e ka humbur jetën. Vajza 6-vjeçare që humbi jetën ka qenë pasagjere në automjetin që ka bërë tejkalim në vendin e ndaluar”, kishte thënë Sahatqija.

Mirëpo dita e diel nuk mbaroi me kaq. Rreth orës 23:00 ndodhi edhe një vdekje tjetër si pasojë e aksidentit në trafik. Një 28-vjeçar, ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti komunikacioni që kishte ndodhur në fshatin Burojë të Skenderajt.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Mitrovicës. Zëdhënësi Avni Zahiti tregoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19 :00.

Përveç një personi që ka vdekur nga lëndimet e marra, edhe tre të tjerë janë lënduar. Sipas Zahitit, dy prej tyre po kurohen në Spitalin rajonal të Mitrovicës, e njëri në QKUK. Në këtë aksident janë të përfshira një veturë dhe një traktor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. /Insajderi.com