Një vit fitimprurës për Bekim Jasharin

Vetëm brenda një viti kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit iu dyfishua pasuria në llogaritë bankare të tij. Nga 15 mijë euro nga viti që lamë pas, në 35 mijë euro (Cash), në vitin 2018. Këtë e tregojnë formularët e deklarimit të pasurisë për këtë vit.  

Një vit fitimprurës për Bekim Jasharin

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka pasur një vit dinamik si politikan pasi u përplasë me parardhësin e tij, drejtuesin e PDK-së në këtë qytet, Sami Lushtakun, duke akuzuar njëri-tjetrin. Më vonë edhe u pajtuan, duke ngjallur dyshime se përplasja ishte bërë edhe për biznes. 

Por Bekim Jasharit, i ka ecur goxha mirë në jetën private. I është rritur pasuria. Ai në llogaritë e tij bankare i ka 35 mijë euro më shumë sesa që kishte vitin e kaluar. I pari i Komunës së Skenderajt, Jashari në vitin 2018 ka deklaruar se ka më shumë para të gatshme krahasuar me një vite më parë.

Në deklarimin e vitit të kaluar, si kryetar i bordit të Aeroportit ai kishte deklaruar para të gatshme vetëm 15 mijë e 854 euro.

Tash, në vitin 2018 Bekim Jashari ka deklaruar 35 mijë euro më shumë, apo gjithsej 50 mijë e 953 euro para të gatshme.

Kjo nuk është rritja e vetme, pasi ai në deklarimin e pasurisë që e ka bërë në fillim të këtij viti e ka deklaruar edhe një veturë, të cilën e ka vlerësuar me 16 mijë euro, dhe gjithsej i janë bërë tri vetura të cilat së bashku arrijnë vlerën prej 66 mijë euro.

 

 

 

 

 

Jashari ka deklaruar se ka pasuri të përbashkët një shtëpi prej 900 metra katror dhe po ashtu 18 hektar tokë, por nuk ka deklaruar edhe vlerën e kësaj pasurie të paluajtshme.

Të njëjtën gjë, Jashari e kishte bërë edhe gjatë vitit 2016 kur ai kishte deklaruar pasurinë e tij si kryetar i atëhershëm i bordit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ndërsa si pasuri të paluajtshme ka deklaruar një pronë prej 4 mijë metra katrorë, e cila sipas deklarimit është pronë për qira mbajtje prej 99 vitesh. Për këtë pronë, Jashari ka deklaruar se është bashkë-pronar, aksionar prej 20 për qind.

Si kryetar i Komunës së Skenderajt, Jashari merr pagë mujore prej 1 mijë e 116 euro që i bie se brenda një viti ai merr pagë prej 13 mijë e 392 euro. Ndërsa nga qiraja e pronës ku Jashari është aksionar prej 20 për qind ai ka deklaruar se merr 27 mijë e 960 euro.

I pari i Komunës së Skenderajt, ka deklaruar se është aksionar prej 50 për qind në Premium Group Kosova Sh.P.K, që sipas tij vlera e kapitalit arrin në 250 mijë euro.

Insadjeri ka shkruar edhe më parë për biznesin e tij ku është aksionar në kompaninë “Premium Group”. Ai është aksionar në kompaninë “Premium Group”,  e cila po ndërton një kompleks të madh banesor në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Investimet në këtë kompleks banesor shumëkatësh janë disa milionëshe.

Pjesë e kësaj kompanie janë edhe gjashtë ortakë tjerë, përfshirë edhe nipin e tij, Bahri Nuredinin. Bazuar në deklarimet e pasurisë Bekim Jashari ka 50 përqind të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Nuredini ka vetëm pesë përqind. Aksionarë tjerë që kanë hise në 45 pëqindëshin e mbetur janë Besim Demaj, Xhafer Demaj, Bashkim Jashari, Fazli Jashari dhe kompania “N.N. 100 % Design”. Person i autorizuar i kompanisë është Hajrullah Lushtaku.

Ndërkaq, pronar i kompanisë private “N.N. 100 % Design”, është Avni Jashari. Biznesmeni Avni Jashari, përkundër që ka ortakëri me Bahri Nuredinin e Bekim Jasharin, ka arritur të përfitojë tender publik nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Qeveria e ka shuar si ndërmarrje publike “Aeroporti-Kontrolli i Trafikut Ajror”, dhe e ka shndërruar në agjenci qeveritare me emrin “Agjencia e Shërbimi të Navigacionit Ajror”. Ajo nuk ka bord drejtues por i jep përgjegjësi drejtpërdrejt Ministrisë së Infrastrukturës. Kryeshef i Agjencisë është ortaku i Avni Jasharit, Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit.

Profili i Bekim Jasharit – Biznesi, tenderi dhe veprimet e dyshimta të kandidatit të pavarur