Një shqiptar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve për të rinjtë

Një shqiptar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve për të rinjtë

UEFA Youth League, e ashtuquajtura Ligë Kampionesh për të rinjtë, do të vazhdojë të flasë edhe pak shqip. Meritën për këtë e ka edhe talenti i ri 18-vjeçar Mërtim Berisha, i cili ka arritur të sigurojë praninë mes katër skuadrave më të mira të turneut me ekipin e RB Salzburg

Berisha aktivizohet me skuadrën e dytë të RB Salzburg, Laifering ku ka treguar të gjitha vlerat e tij si një golashënues i jashtëzakonshëm me 11 gola në 17 ndeshje. Por ai është bërë i njohur në arenën ndërkombëtare pikërisht falë UEFA Youth League ku merr pjesë me skuadrën U-19 të RB Salcburg.

Shtatë gola në pesë ndeshje e kanë kthyer atë në një prej golashënuesve më të mirë të turneut dhe forma e tij ka ndihmuar ekipin austriak të arrijë një objektiv të jashtëzakonshëm siç është gjysmëfinalja në këtë aktivitet.

Sot, skuadra e Berishës mundi 2-1 Atletico Madrid në një ndeshje të dominuar plotësisht dhe djaloshi dha asistin për golin e dytë të skuadrës së tij që preu biletën për një vend mes katër më të mirëve, njofton gazeta shqiptare Panorama.

Futbollisti, në të kaluarën ka deklaruar se mund të luajë për tre kombëtare të ndryshme: Austrinë, Kosovën apo Shqipërinë, por për momentin ai nuk ka bërë ende zgjedhjen e tij. Por kudo që të shkojë, të gjithë janë të sigurt se Mërgim Berisha do të jetë një emër që do të përmendet shpesh në të ardhmen në futbollin europian.