Një shoqëri burrash të sëmurë dhe gra që vdesin nga sëmundjet e tyre

01.12.2017 19:43

Në gati secilën histori tragjike të dhunës së burrit ndaj gruas në Kosovë, egziston një shpjegim i njejtë, kur ai vihet para drejtësisë: është i sëmurë, ka probleme psikike, nuk ka qenë në gjendje të vetëdijshme. Dhe pas kësaj historie, pason tjetra: gra që vdesin nga sulmi me sëpatë ose mbesin pa veshkë nga kjo sëmundje

Një shoqëri burrash të sëmurë dhe gra që vdesin nga sëmundjet e tyre

Brenda një jave, në Kosovë, kanë ndodhur dy sulme krejtësisht barbare në familje. Para një jave, Sevdije Berisha 52 vjeçare vdiq pas gjashtë ditëve ballafaqim mes jetës dhe vdekjes, pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra nga sulmi me sëpatë. Atë e vrau bashkëshorti i saj, Isen Berisha 66 vjeçar.

Një grua tjetër në atë familje, 27 vjeçare ka mbetur me lëndime të rënda, pasi u sulmua po ashtu me sëpatë, teksa po mundohej të ndalte vjehrrin e saj që sulmonte bashkëshorten.

Burri, me rekomandim të prokurorit ka shkuar në ekzaminim psikiatrik.

Ende pa u bërë ekzaminimi i këtij burri, një tjetër burrë, jo fort larg Pejës, në Deçan qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij. Ajo shpëtoi, por humbi një veshkë si pasojë e sulmit.

Prokurori i këtij rasti nuk dihet e kësisoj as nëse burri që kreu sulmin me revole do të dërgohet apo jo në ekzaminim.

Në këndvështrimin sipërfaqësor, çdo kush që kryen sulme të tilla, mund të konsiderohet si njeri me probleme psikike, por a është ky një arsyetim rreth së cilit duhet të sillemi, kur e trajtojmë dhunën e bazuar direkt në baza gjinore?

Për shumë njerëz në këtë vend, avokatë dhe gjyqtarë e prokurorë që trajojtojnë këto tema,  në Kosovë është dëshmuar se “gjendja psikike” ka vlejtë si akt bazik në procesin e gjykimit të krimit.

Në secilin rast tragjik që ka ngjallur debat publik (dhe dhjetra rasteve të cilat nuk marrin vëmendjen e mediave ose që nuk raportohen nga vet organet e drejtësisë) gjendja psikike e burrit, para, ose në momentin e kryerjes së krimit është përdorur si “arsyetim” kur është gjykuar nga drejtësia, por edhe nga “gjykata e popullit” që tashmë është zhvendosur në rrjete sociale.

Në këtë mënyrë, shoqëria kosovare apo familjet kosovare, dalin se janë të mbushura me burra të sëmurë dhe gra që vuajnë pasojat e kësaj sëmundje.

Është krejtësisht normale që një person që ka probleme psikike të mos gjykohet njejtë sikurse ai që kryen me vetëdije të plotë një krim, por nuk është aspak e drejtë që ky arsyetim të përdoret kur gjykohen krimet të kryera ekskluzivisht në baza gjinore ose ndaj të pambrojturit.

Janë disa arsye nëse jo ligjore, logjike, se përse këto arsyetime vetëm e thellojnë hendekun e gjetjes së esencës në rastet e dhunës në familje, ku shumicën e herave është viktimë gruaja.

Një përqindje krejtësisht e vogël e grave posedojnë pronë ose trashëgojnë pronën e familjes. Kjo pronë është e menaxhuar nga burrat, që “edhe pse me probleme psikike” lejohen nga shteti që të kenë të drejtë pronësie.  Kësisoj burri kur vret është në nje gjendje krejtësisht të cmendur, por burri në të  njejtën kohë është i aftë të menaxhojë gjithë pronën e familjes.

Në këso situate, gruaja që shpëton nga dhuna ose sulmi i burrit detyrohet që të jetojë me “vrasësin potencial të saj” ose të kthehet tek familja e cilla gjithashtu përbëhet nga burrat të cila kanë në pronësi gjithcka. Gruaja në këtë mënyrë shndërrohet në një njeri të pavlerë e cila nuk ka asgjë në pronësi dhe kështu duhet të zgjedhë mes “skllavërisë dhunuese tek burri” ose “të jetë barrë e përjetshme e familjes së saj”.

E në ndërkohë që shteti arsyeton burrat bazuar në cmendurinë e tyre nuk ka krijuar asnjë infrastrukturë që do t’i mundësonte grave që nuk kanë pronë e as vend ku të jetojnë pa dhunë, të jetojnë një jetë të pavarur nga asnjëra prej tyre. Tragjedia e tyre nuk ndalet me kaq. Në të njejtën kohë që shteti, publiku, mediat e gjithkush fillon t’i harrojë, tragjedia e tyre sa fillon dhe përkeqësohet.

Burri që ka vuajtur dënimin e ulur me arsyetimin nga të dhënat e “ekzaminimit psikik” kthehet në shtëpi dhe përkundër se këto të dhëna tregojnë se ai “nuk është mirë”, burrit nuk i humbë fuqia as pushteti. Njashtu sikurse bijtë e Sevdijës së vdekur nga sulmi me sëpatë në Pejë që nuk duan të flasin për rastin, heshtja bëhet edhe forma e trajtimit ndaj burrit që kthehet nga vuajtja e dënimit dhe rifillon një jetë të zakonshme.

“Burgu është për burra”

Natyrisht, fortësia e burrit tek ne matet ende me aftësinë që ta kalojë burgun dhe ti rikthehet jetës. Por përderisa një burrë bënë rikthimin si njeri i fortë pas burgut, gruaja që del pas burgut që ka mbajtur si pasojë e një akti që ka kryer ndaj burrit të saj, është një njeri i padëshiruar.

Gruaja kësisoj vazhdon të trajohet si një njeri për të cilin nuk vlen “arsyetimi i të cmendurës” e as “fortësisë që ka kaluar burgun”.

Nuk kam dëgjuar asnjëherë në rastet e gjykimit të grave që kanë kryer akte krimi ndaj burrave të jetë përdorur arsyetimi i “ekzaminimit psikik” për t’ia ulur dënimin ose thjesht për të treguar se krimi ka ndodhur si përgjigje ndaj “cmendurisë së burrit”.

Ato arsyetohen vetëm nëse e durojnë këtë dhunë, nuk e raportojnë atë dhe pranojnë që të harrojnç gjithçka dhe të vazhdojnë jetën. Normalisht, nëse arrijnë të mbesin gjallë.