Një shkollë fiton miliona nga Snapchat

03.03.2017 17:23
Një shkollë fiton miliona nga Snapchat

Një shkollë e mesme në Kaliforni, veç famës së saj për cilësinë e arsimit që ofron, ka tashmë miliona arsye më shumë për të festuar dhe reklamuar produktin e saj.

Së fundmi, kompania Snap shiti në bursë pjesën më të madhe të aksioneve të aplikacionit të saj të suksesshëm Snapchat duke fituar miliarda. Ajo që mediat amerikane zbuluan më pas ishte se shkolla e mesme “Saint Francis” në zonën e Mountain View të Kalifornisë, zotëronte 2 milion aksione, nga të cilat ka shitur 2 të tretat duke fituar 22,5 milion dollarë.

Aksionet që i kanë mbetur shkollës kushtojnë aktualisht 17 milion dollarë. Historia nis 5 vjet më parë, pikërisht në vitin 2012, kur shkolla investoi 15.000 dollarë në aplikacionin e ri Snapchat, atëherë kur krijuesit e tij Evan Spiegel dhe Bobby Murphy ishin të panjohur dhe punonin ende nga dhoma e tyre e konviktit në universitetin Stanford.

Tashmë këta të dy janë miliarderë dhe shkolla që bëri investimin e zgjuar, milionere. Zyrtarë të shkollës thanë se në vitin 2012 u nxitën nga një prind nxënësi, i cili punonte si financier, që të investonin tek Snapchat.

“Saint Francis” është një shkollë e mesme private dhe një vit aty kushton 17.000 dollarë. Por pas fitimit kolosal me Snapchat, shkolla tha se do të japë më shumë bursa dhe po konsideron uljen e kostos vjetore që sa më shumë nxënës nga komuniteti të kenë mundësi të shkojnë aty.

Që tani shkolla ka nisur të ndajë fatin e saj të mirë, pasi ka akorduar thuajse 3 milionë dollarë për të ndihmuar arsimimin e shumë nxënësve në shkolla të tjera.