Një “Sergei Magnitsky Act” për Kosovën  

Ambasadori amerikan ka mundësi ligjore të cilat rrjedhin nga Vendimi (Proclamation) Presidencial 7750 i 12 janarit 2004, si dhe akti i veçantë ligjorë “Sergei Magnitsky” i vitit 2011. Një listë e tillë me dhjetëra zyrtarë publikë, të cilët kanë mbajtur post publik kurdo që nga viti 2000 e këndej, duhet të përpilohet dhe t'i bashkëngjitet listës së zyrtarëve të cilëve SHBA ua ndalon hyrjen në shtetin e tyre. E njëjta mund të përcillet edhe nga Parlamenti Evropian.

Deklarimet e djeshme të ambasadorit amerikan Greg Delawie se nuk do të takohet me zyrtarët e korruptuar në Kosovës, është një hap i mirë i cili do të duhej të ndërmerrej shumë kohë më parë. Një veprim të tillë e bëri edhe Princi Charles, i cili gjatë vizitës së tij në Prizren nuk e takoi kryetarin Ramadan Muja.

Por SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë mundësi dhe do të duhej të ndërmarrin hapa më radikal sa i përket të korruptuarve në Kosovë. SHBA dhe Parlamenti Evropian në të kaluarën kanë aprovuar akte ligjore të cilat ua ndalojnë zyrtarëve të korruptuar hyrjen në këto vende, ose edhe ngrirjen e aseteve të tyre.

Më 2011, Kongresi dhe Senati amerikan kanë adaptuar “Sergei Magnitsky Act”, i cili ua ndalon hyrjen në SHBA mbi 60 zyrtarëve rus të korruptuar, të cilët shantazhuan fondin investiv amerikan Hermitage Capital Management, si dhe ishin përgjegjës për torturimin dhe vdekjen në burg të avokatit të këtij fondi, Sergei Magnitsky. Pas SHBA, edhe Parlamenti Evropian më 2014 ka aprovuar “Listën e Sanksioneve Magnitsky” e cila po ashtu u ngrin asetet personave të korruptuar dhe të ndërlidhur me vrasjen e avokatit Sergei Magnitsky, si dhe ua ndalon hyrjen në vendet anëtare të BE. Prapaskenat deri tek aprovimi i këtij akti ligjor në dy dhomat e legjislativit amerikan, si dhe në Parlamentin Evropian, janë pasqyruar në librin “Red Notice” të Bill Browder.

Përveç këtij akti ligjor, në SHBA ekzistojnë edhe akte tjera në fuqi të cilat ua ndalojnë hyrjen në këtë shtet personave të korruptuar. Një i tillë është edhe vendimi Presidencial nr.7750 i vitit 2004 për ndalimin e hyrjes në SHBA të personave të përfshirë apo të cilët përfitojnë nga korrupsioni. Në hyrje të këtij vendimi Presidencial i nënshkruar nga George W. Bush më 2004 thuhet se “për shkak se zyrtarët e korruptuar në çdo shtet të botës paraqesin rrezik për paqen dhe përpjekjet e SHBA për të forcuar institucionet demokratike, u ndalohet hyrja në SHBA personave, emigrant ose jo emigrant, të cilët kanë përfituar nga korrupsioni ose kanë qenë pjesë e veprimeve korruptive”. Përveç personave të përfshirë direkt në akte korruptive, hyrja në SHBA u ndalohet edhe personave të afërt me këta zyrtarë të korruptuar. Lista e personave të cilëve u ndalohet hyrja përpilohet nga Sekretari Amerikan i Shtetit.

Andaj, ambasadori amerikan ka mundësi ligjore të cilat rrjedhin nga Vendimi (Proclamation) Presidencial 7750 i 12 janarit 2004, si dhe akti i veçantë ligjorë “Sergei Magnitsky” i vitit 2011. Një listë e tillë me dhjetëra zyrtarë publikë, të cilët kanë mbajtur post publik kurdo që nga viti 2000 e këndej, duhet të përpilohet dhe t’i bashkëngjitet listës së zyrtarëve të cilëve SHBA ua ndalon hyrjen në shtetin e tyre. E njëjta mund të përcillet edhe nga Parlamenti Evropian.

Duke marr parasysh mos funksionimin e gjyqësisë, si dhe duke parë që gjithnjë e më shumë korrupsioni është duke i gërryer themelet e shtetësisë së Kosovës, një hap i tillë nga SHBA dhe Parlamenti Evropian do të ndikonte direkt në përmirësimin e qeverisjes në Kosovë, dhe indirekt në sigurimin e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit.

(Autori është drejtor i Insitutit GAP)