Një muaj paraburgim për kryeinspektorin që dyshohet për marrje ryshfeti

Një muaj paraburgim për kryeinspektorin që dyshohet për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurit M. B., i cili dyshohet për marrje ryshfeti.

Kjo masë vjen pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin e bazuar se ai ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.

“Arsye për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit M.B. është se ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë periudhës disa vjeçare, si person zyrtar në pozitën e kryeinspektorit të regjionit të Prishtinës, pranë Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vazhdimisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitim material, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare ashtu që me datën 22 shtator 2016, nga dëshmitari – i dëmtuari L.Z., kontabililst i një kompanie ka kërkuar shumën prej 10.000 euro, që mos të ndëshkojë për disa parregullsi kompaninë ku i dëmtuari punon, për të cilat sipas të pandehurit kompania është dashur të ndëshkohej me gjobë prej rreth 350.000 euro, por një ditë më vonë, me dt.23.Shtator,2016, rreth orës 16.00, është zënë në flagrancë nga ana e policisë me rastin e marrjes së shumës së kërkuar të parave”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Me këto veprime inkriminuese ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale  Marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 të KPK”, përfundon komunikata./Insajderi.com