Një kosovar mbështeti paradën e sotme të homoseksualëve në Beograd

18.09.2016 18:20

Qindra policë kishin formuar kordon në qendrën e Beogradit, në mënyrë që të sigurojnë mbarëvajtjen e “Paradës së Krenarisë” të organizuar nga aktivistët e të drejtave të homoseksualëve sot në kryeqytetin e Serbisë.

Një kosovar mbështeti paradën e sotme të homoseksualëve në Beograd

Siç raporton New York Times, e cila i dha një fokus të veçantë kësaj ngjarje, në këtë paradë i pranishëm ishte edhe një shqiptar nga Kosova, raporton Gazeta Online Insajderi.

Liridon Vidiu është shqiptari nga Kosova, i cili pavarësisht problemeve politike dhe sociale ndërmjet dy kombësive, ka vendosur që t’i mbështesë paradën e homoseksualëve serbë.

“Vidiu shprehu dëshirën që në parada të tilla të mos ketë kaq shumë policë në rrugë dhe që qytetarët t’i bashkohen paradave të tilla lirshëm”, citohet të ketë thënë kosovari për gazetarin e New York Times në Beograd.

Autoritetet serbe kanë anuluar disa ngjarje të homoseksualëve, që nga viti 2010 për shkak të rrezikut për përleshje nga grupet e krahut të djathtë dhe huliganët e futbollit. Marshimet filluan sërish në vitin 2014, shkruan Insajderi.

lgbt

Serbisë i është kërkuar që të rris të drejtat e homoseksualëve, si pjesë e përpjekjes së saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke përfshirë caktimin e një ministri homoseksual, gjë që qeveria serbe e bëri muajin e kaluar.

Në paradë ishin të pranishëm edhe ministra nga kabineti qeveritar i Serbisë. Ata thanë se ky “është një mesazh i rëndësishëm që qeveria serbe po e jep”. /Insajderi.com