Një koalicion i shoqërisë civile për mbrojtjen e universitetit

Një koalicion i shoqërisë civile për mbrojtjen e universitetit

Dhjetë organizata të shoqërisë civile janë bashkuar për të themeluar një “koalicion” për siç kanë thënë, mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet ka thënë se do të përpiqet të rikthejë “besimin të publikut ndaj Universitetit”.

Kjo nismë ka thënë se zhvillimet në dekadën e fundit kanë treguar se mungesa e integritetit në arsimin e lartë paraqet pengesë për zhvillimin e këtij sektori dhe zënien e hapit me vendet tjera evropiane.

“Ndërhyrjet politike dhe klanore, korrupsioni akademik, punësimet dhe avancimet e paligjshme, plagjiarizmi dhe mashtrimi janë vetëm disa nga dukuritë që janë shpërfaqur kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës, duke zhvlerësuar edhe vet kontributin historik të këtij institucioni në zhvillimin e Kosovës dhe duke privuar gjeneratat e reja nga e drejta për një arsimim cilësor”, thuhet në njoftimin e këtij koalicioni organizatash.

“Të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka Universiteti i Prishtinës për zhvillimin e Kosovës dhe duke vlerësuar gatishmërinë e qytetarëve të Kosovës që të vihen në mbrojtje të këtij institucioni, ne, organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, kemi vendosur të t’i bashkojmë përpjekjet tona për rikthimin e besimit të publikut ndaj Universitetit”, thuhet tutje në njoftim.

Ndër tjerash, organizatat që janë pjesë e kësaj nisme do të bëjnë monitorimin e punës së organeve të universitetit, monitorimin e respektimit të orarit të mësimit e konsultimeve, hulumtimi dhe bërja publike e rasteve të shkeljeve standarde dhe etike, e të tjera.

“Në këtë rrugëtim do të bashkëpunojmë me organizata të shoqërisë civile, grupe të studentëve dhe profesorëve, mediat, si dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që duan një Universitet i cili mbështet funksionimin e vet në respektimin e standardeve akademike dhe etike”.

Organizatat pjesë të  Koalicioni për Integritet dhe Transparencë janë:

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – Luan Shllaku
Qendra për Arsim e Kosovës – Dukagjin Pupovci
ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – Rron Gjinovci
Qendra ENCOMPASS – Jusuf Thaçi
Qendra për Kurajo Politike – Arben Hajrullahu
Organizata Çohu – Arton Demhasaj
Sbunker – Agon Maliqi
Demokracia për Zhvillim – Shpend Emini
OJQ Admovere – Shkelzen Gashi
Institutit EdGuard – Rinor Qehaja./Insajderi.com