Një javë më parë tha se “nuk i kemi numrat”, tash Haliti deklaron të kundërtën

Një javë më parë tha se “nuk i kemi numrat”, tash Haliti deklaron të kundërtën

Të premtën e 11 gushtit, rreth një javë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk i ka numrat e mjaftueshëm për votimin e qeverisë së re.

Për arsye se koalicioni PAN nuk i kishte bërë ende numrat, Haliti tregoi se deputetët e këtij koalicioni nuk do të shkonin në seancën e thirrur më 14 gusht.

“Ne sikur t’i kishim votat të gjitha, ne do të futeshim në seancë të zgjidhnim kryetarin e Kuvendit dhe do ta caktonim seancën për ta zgjedhur kryeministrin, respektivisht Qeverinë”, kishte thënë Haliti.

Por, tetë ditë më vonë, Haliti ka deklaruar të kundërtën. Ka thënë se koalicioni i ka numrat dhe më 24 gusht kur edhe është caktuar seanca konsultative, do të zgjidhet Kadri Veseli kryeparlamentar.

 

“Ne e kemi propozu Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. Deklaratën e Albin Kurtit nuk e kam lexu, nuk di kush çka bën aty, por ne nuk kemi diskut për asnjë kandidat tjetër dhe nuk ka ndonjë vendim tjetër. I kemi votat e mjaftueshme, dhe askush nuk ka nevojë të shkojë me alternativa”, ka thënë ai për lajmi.net.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma e ka të nominuar për kryeministër liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn. /Insajderi.com