Një ish-pastrues në krye të federatës

Një ish-pastrues në krye të federatës

Argjentina futbollistike po kalon një periudhë jo fort entuziazmuese. Pas humbjes me Bolivinë që mund t’i kushtojë Botërorin rus dhe skualifikimit prej katër ndeshjesh të yllit kryesor të kombëtares, Lionel Mesi, duket së të paktën në zyrat e Federatës vendase që, nga dita e djeshme do të ketë një problem më pak.

Klaudio Tapia nga Barrakas Sentral, me një të kaluar si futbollist në kategorinë e dytë rajonale, është zgjedhur si kreu i ri i “AFA”-s, post të cilin do ta mbajë për katër vitet e ardhshme.

Megjithëse ishte kandidati i vetëm për detyrën në fjalë, për emërimin e tij nevojiteshin zgjedhje gjatë të cilave Tapia mori 40 nga 43 votat e mundshme.

Mendohet se, pas zgjedhjes së 50-vjeçarit fshihet deputeti Daniel Angeliçi, i cili, përveç se president i Boka Juniors, është edhe figura kyçe që mbështeti Tapian në kandidaturën e tij.

Tapia aktualisht është gjithashtu pronar i 33 për qind të aksioneve të klubit Barrakas Sentral, ku ka qenë lojtar në rininë e tij, por tejet kurioz është fakti se dikur ai ka qenë pastrues për një hotel me 5 yje. Nga punëtor në firmën ku punonte, ai në pak vite u kthye në pronarin e saj, por edhe të disa sipërmarrjeve të tjera lokale.

Tapia, i njohur me nofkën “Chiqui” (Vogëlushi), do të përpiqet të bëjë menjëherë “të madhin” duke tentuar një ulje të dënimit për Leo Mesin. Në fakt, në fjalën e tij të prezantimit, kreu i ri i topkëmbës argjentinase kërkoi mbështetje maksimale për trajnerin Bauza dhe respekt për punën e trajnerit.

Duke parë të kaluarën e tij dhe vullnetin për të arritur suksese në botën e biznesit e më pas postin e presidentit të federatës vendase, argjentinasit kanë filluar të shpresojnë se kanë njeriun e duhur në vendin e duhur.

Kujtojmë se në klasifikimin aktual të Amerikës Latine, Argjentina renditet e pesta, çka do të thotë se, për të siguruar Botërorin, do t’i duhet të përballet në “play off” me një ekip nga zona e Oqeanisë.