Një grua mes burrave të acaruar të Ballkanit

Një grua mes burrave të acaruar të Ballkanit

Në një kohë kur tensionet politike dhe etnike po mbizotërojnë në Ballkan, shefja e politikave të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, vizitoi këtë pjesë të Evropës, që ende ka ngecur në inkuadrimin në Bashkimin Evropian.

Në vendin e parafundit që vizitoi, Kosovën, duke dashur të jap një mesazh të qartë për vendin, se nuk ka liberalizim vizash pa miratuar demarkacionin me Malin e Zi, Mogherini tha diçka që ra në sy.

“Dua ta bëjë të qartë dhe se nuk kam nevojë të bërtas…”, tha Mogherini duke shpërfaqur në fakt atë që e përshkruan më së miri politikën e Ballkanit, tensioni.

Ajo shpërfaqi një fakt të zakonshëm në Ballkan: paaftësinë e burrave që drejtojnë vendet e Ballkanit që të flasin pa e ngritur zërin.

malzi

Në tentim që të qetësojë tensionet në rritje, ajo vizitoi gjashtë vendet e tensionuara brenda katër ditëve.

Si një nga gratë më të fuqishme në Bashkimin Evropian, ajo u prit nga burrat të cilët ende mbizotërojnë në pushtetet në Ballkan.

Në krejt takimet që ka pasur në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, ajo është takuar me vetëm një grua, kryetaren e Kuvendit të Serbisë.

Mogherini filloi me Malin e Zi ku pati një konferencë për media me kryeministrin Dushko Markoviq, pastaj edhe një fjalim në parlament.

shqiperi

Në këtë fjalim ajo pati lëvdata për Malin e Zi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme me të gjitha shtetet fqinje, dhe mënyrës së bashkëpunimit mes kombësive të ndryshme të cilat jetojnë aty, por nuk përmendi barazinë gjinore.

Vazhdoi në Maqedoni, ku takoi Presidentin Ivanov dhe ministrin e punëve të jashtme Poposki, ku u tha atyre të bëjnë një zgjidhje për udhëheqësi në Shkup dhe të mos humbin më shumë kohë nëse duan të shkojnë përpara dhe t’i bashkohen Evropës.

Në vizitën në Serbi ajo nuk u nda dhe aq e kënaqur pasi pritet me thirrje anti-BE në parlament, duke thirrur “Rusia, Rusia, nuk na duhet ‘Unioni’”. Fjalët e saj nuk dëgjoheshin thuajse fare.

serbia

E para kësaj ajo ishte takuar edhe me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Edhe në Shqipëri ajo përsëriti këshillën e mëparshme, që negociatat Shqipëri-BE do hapen vetëm pasi të zbatohet Vettingu. Deklaratat e saj ajo i tha pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

Në konferencën me kryeministrin e Kosovës, ajo ritheksoi që pa demarkacion nuk ka liberalizim të vizave. Ndërsa fjalimin e saj ajo e mbajti në urën e Mitrovicës.

Ajo përfundoi vizitën e saj 4-ditore në Bosnje dhe Hercegovinë, ku fokusi i diskutimit në këtë vend me tensione etnike, ishte e ardhme e Bosnjës si një vend stabil, demokratik dhe multietnik.

Njëra prej grave më të fuqishme në Evropë, Mogherini, mbaroi kështu vizitën e saj mes burrave të acaruar të Ballkanit. Këshillat e saj u dhanë në konferencat dhe fjalimet e gjata, në tentim të qetësimit të tensioneve mes vendeve dhe brenda tyre. Sa do të ndodh kjo, pritet të shihet në muajt e ardhshëm./Insajderi.com