Një gazetar dhe një sociolog – dy “sfiduesit zyrtarë” të Shpend Ahmetit

Një gazetar dhe një sociolog – dy “sfiduesit zyrtarë” të Shpend Ahmetit

Pasi një javë më parë Shpend Ahmeti u zyrtarizua nga Lëvizja Vetëvendosje për të garuar edhe për një mandat në Komunën e Prishtinës, janë konfirmuar edhe dy sfidues të Ahmetit në garën për të parin e kryeqytetit.

Ata janë Arbër Vllahiu nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Avni Çakmaku nga Partia Fjala.

Vllahiu u zyrtarizua dje nga AAK-ja si kandidat për Komunën e Prishtinës, në zgedhjet lokale të 22 tetorit.

Ai është gazetar me profesion, derisa në politikë ka shërbyer në dy periudha të ndryshme; fillimisht Vllahiu kishte qenë këshilltar i lartë politik i ish-presidentes Atifete Jahjaga, para se t’i rikthehej politikës këtë vit, kur u bë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

E sfiduesi i dytë zyrtar i kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmetit, është konfimuar sot. Ai është Avni Çakmaku nga Partia Fjala. Çakmaku është magjistër i shkencave të sociologjisë me profesion.

“Avni Çakmaku njëherit do të i prijë listës së kandidatëve për asamble komunale të komunës së Prishtinës”, thuhej në komunikatën e lëshuar sot nga partia që udhëhiqet nga Gëzim Kelmendi, raporton Insajderi.

Partia Fjala ka pësuar disfatë të madhe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, pasi arriti të mbledhte vetëm 1,10 për qind të votave.

Partitë e tjera ende nuk i kanë bërë të ditur emrat e të kandiduarve për kryetar të Komunës së Prishtinës, për zgjedhjet e 22 tetorit. /Insajderi.com