Një dramë që për pak nuk përfundoi në tragjedi për Kosovën

Një kërkesë e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës e iniciuar mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar e rrezikoi të ardhmen e vendit. Kërkesa ishte: shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Kjo alarmoi diplomatët e shteteve të fuqishme, prezente në Kosovë. Vendi u kërcënua me një tragjedi: izolim dhe gati heqje të shtetësisë. Por tetë ditë pasi hymë në vitin 2018 kjo dramë përfundoi duke nënkuptuar se përfundimisht Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.

Një dramë që për pak nuk përfundoi në tragjedi për Kosovën

Tetë ditë para se të përfundonte viti 2017 Kosova u gjend në një situatë kritike, kur një kërkesë e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, krijoi panikë dhe ngjalli reagime të fuqishme negative të partnerëve ndërkombëtarë.

Në një seancë të gjatë – që zgjati rreth tetë orë – të premten e 22 dhjetorit, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Ligjin për Buxhetin e vitit 2018 mes diskutimesh të gjata.

Tek pas orës 19:00 të pasdites, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thirri në mbledhje Kryesinë e Kuvendit: diskutimi ishte procedimi para deputetëve i Ligjit për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kjo nismë u iniciua nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani.

Për Hasanin, propozimi për shfuqizimin e ligjit të Gjykatës Speciale kishte të bënte me karakterin etnik të gjykatës dhe kushtin që të mos gjykoheshin vetëm pjesëtarët e UCK-së për krime lufte, por edhe individë potencial nga bashkësitë tjera etnike në Kosovë.

Nismën e Hasanit e kishin nënshkruar edhe 42 deputetë të tjerë. Të gjithë këta deputetë përfaqësonin koalicionin PDK-AAK-Nisma. Mirëpo, deputetët e opozitës u shprehën të habitur me këtë nismë. Thanë se nuk kanë qenë në dijeni se kërkesa e deputetëve do të procedohej në Kuvend atë ditë.

Por, për kërkesën e 43 deputetëve kishte pasur informacione paraprake Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delaëie. Përfaqësuesi i SHBA-ve në Kosovë reagoi dy herë brenda një ore në rrjetin social Twitter.

Delawie paralajmëroi institucionet e Kosovës se nëse zhbëhet Gjykata Speciale, Kosova do të izolohej.

“Ideja për ndërrimin e Ligjit për Gjykatën Speciale mund të izolojë Kosovën ndërkombëtarisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni kohën mbrapa”, deklaroi Delawie në reagimin e parë, teksa në reagimin e dytë bënte thirrje që të mos “shkatërrohej Kosova”.

E kur Kadri Veseli thirri në mbledhje Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, Delawie ndali reagimet e tij në Tëitter. Kur pa që deputet e kishin seriozisht iniciativën për zhbërjen e gjykatës, u nis për në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku gjeti edhe Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell.

Delaëie e O’Connell mbajtën takime me përfaqësues të partive politike në Kuvend. Ndërsa, në anën tjetër të përfshirë në këtë situatë ishin edhe presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët mbajtën një takim mes vete.

Po ashtu, të dy ambasadorët bënë thirrje nëpërmjet medieve, nga holli i Kuvendit, të ndalohej kjo iniciativë. Të mos procedohej propozimi për rrëzimin e Gjykatës Speciale. Madje, Ambasadori Ruari O’Connell kërcënoi se nata e asaj të premte mund të kthehej në tragjedi për Kosovën.

“Kjo mund të ishte nata më e rrezikshme për Kosovën, që nga lufta”, deklaroi O’Connell para medieve, derisa mbledhja e Kryesisë së Kuvendit po vazhdonte. “Ne kemi qenë gjithmonë miq të sinqertë të Kosovës.”

Por, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk mori pjesë opozita. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk i bënë korum propozimit të 43 deputetëve që kërkonin shfuqizimin e Speciales.

Kërkesa e 43 deputetëve nuk e realizua atë natë.

Edhe pas dështimit për t’u proceduar në Kuvend ky propozim, deputetët që kishin nënshkruar propozimin për të rrëzuar Spceialen, nuk ndërruan mendje rreth kërkesës së tyre.

Tetë ditë pas vitit të ri 2018, kërkesa që e konsideronin realisht të mundur 43 deputetë – në mesin e tyre 19 të PDK-së – kreu i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli i dha fund kësaj nisme, duke e quajtur joreale dhe naive.

Përmes një opinioni të publikuar më 8 janar, të titulluar “Mbi dramën e Gjykatës Speciale”, Veseli kritikoi iniciatorët e kësaj nisme për rrëzimin  Gjykatës Speciale. Tha se bindjen që Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet e kishte krijuar para festave të vitit të ri.

“Ky shkrim është bërë gati për botim disa ditë para festave të fund vitit që shkoi. Arsyeja pse publikimi u la pas festave ka të bëjë me faktin që ditët festive të qytetarëve të mos ngarkohen edhe më shumë më temat e rënda të politikës kosovare”, shkroi Veseli.

Deklarata e Veselit u mirëprit nga ambasadorët e huaj në Kosovë. Ambasadori Delawie mbështeti këtë qëndrim të Veselit, që duket se i jep fund tentativave për rrëzimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Me letrën e Veselit, u kuptua edhe fakti se deputetët e PDK-së nuk do të votojnë pro shfuqizimit të Speciales. E kësisoj, vendi nuk rrezikon të përballet me tragjedinë: izolimin e vendit./Insajderi.com