Një dekadë zvarritje për Inspektoratin e trashëgimisë kulturore

08.11.2017 09:14
Një dekadë zvarritje për Inspektoratin e trashëgimisë kulturore

Më shumë se një dekadë e ka shmangur si detyrim ligjor, ka provuar ta themelojë vitin e kaluar por ka dështuar, e tash Ministria e Kulturës synon që brenda javës të hapë konkurs për punonjësit e Inspektoratit të trashëgimisë kulturore.

Prej vitit 2006, kur është miratuar Ligji për trashëgimi kulturore, Inspektorati është paraparë si organ që do të inspektojë monumentet që mbrohen nga shteti, shkruan sot “Koha Ditore”. Por institucioni më i lartë kulturor në vend ende nuk ka arritur ta konkretizojë këtë.

Tek javën e kaluar Ministria e Kulturës i ka kërkuar Ministrisë së Financave leje për hapjen e konkurseve për tre inspektorë, një kryeinspektor dhe një asistent. Ministria e Financave ka miratuar kërkesën dhe pritet që brenda pak ditësh të hidhet hapi i parë për punësimin e pesë punonjësve.

Krerët e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe njohësit e kësaj fushe Inspektoratin e shohin si të domosdoshëm.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ardiana Qorraj, ka thënë se inspektori ka qenë gjithmonë i nevojshëm.