Një dekadë jetë por Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë

Një dekadë jetë por Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë

Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë. Sipas Bankës Botërore të ardhurat mesatare për kokë banori në Kosovë llogariten në 10 mijë dollarë amerikanë, të shprehura sipas standardit të fuqisë blerëse.

Ky është niveli më i ulët në Ballkan, që pasohet nga Shqipëria me 11 mijë e 500 dollarë për kokë banori. Kjo i bën dy shtetet shqiptare më të varfrat e Ballkanit dhe Evropës, ndërkohë që ekonomitë e tjera fqinje kanë një nivel të ardhurash që varion nga 12 mijë deri në 18 mijë dollarë, raporton TCH.

Prapambetja ekonomike e Kosovës është rezultat edhe i luftës me Serbinë, shtetit nga i cili ajo fitoi dhjetë vjet më parë, pavarësinë për t’u vetë qeverisur, por nga i cili mbetet ende shumë i varur ekonomikisht.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova blenë çdo vit 450 milionë euro mallra nga Serbia dhe i shet asaj vetëm 48 milionë euro. Pra vetëm përmes tregtisë, Kosova i jep çdo vit Serbisë 400 milionë euro neto, shtetit që vetëm një dekadë më parë shtypte lirinë e saj.

Lidhjet ekonomike të Kosovës me Serbinë janë dukshëm më të forta se sa ato me Shqipërinë. Sot Kosova importon nga Serbia 3 herë më shumë se sa blenë në Shqipëri, një hendek, i cili përveç faktorëve ekonomikë, është dëshmi e dështimit politik të dy shteteve shqiptare për të integruar ekonomitë e tyre.