Një dekadë betejë juridike, zyrtarja fiton të drejtën e kthimit në punë

Një dekadë betejë juridike, zyrtarja fiton të drejtën e kthimit në punë

Dhjetë vjet i  janë dashur Minire Zekës që të ankohet nëpër gjykata e nëpër këshille të pavarura për ta fituar një të drejtë që ia jep ligji, derisa në fund, atë të drejtë ia ka përligjur Gjykata Kushtetuese.

Gjithçka kishte nisur  në vitin 2007, kur Zekës i ishte ndërruar pozita në Ministrinë e Kulturës nga “menaxhere e personelit” në “zyrtare të personelit”, e me këtë i ishte zvogëluar edhe  koeficienti i pagës nga nëntë në tetë.

Zeka ishte ankuar menjëherë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës dhe pak muaj më vonë ky këshill kishte nxjerr vendim në favor të saj.

Kështu, KPMK e kishte obliguar Ministrinë që ta kthejë Zekën në pozitën që kishte qenë me herët.

Për këtë ishte informuar edhe Kryeministri i Kosovës.

Por, Ministria nuk e kishte zbatuar këtë vendim, çka e kishte shtyrë Zekën që realizimin e të drejtës së saj ta kërkojë në instanca të tjera.

Ajo i ishte drejtuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar zbatimin e vendimit të KPMK-së.

Deputetët e këtij komisioni i kishin rekomanduar asaj që t’i drejtohet Gjykatës Komunale, njëherësh e kishin obliguar Ministrinë që ta respektojë vendimin e KPMK-së.

Me 11 maj 2011, Gjykata Komunale e kishte refuzuar propozimin e saj për ekzekutimin e vendimit të KPMK-së.

Gjykata kishte konsideruar se në pajtim me ligjin e aplikueshëm, në procedurën administrative, ekzekutimi kryhet vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me detyrimet në të holla, dhe se për këtë arsye, propozimi  i saj nuk ishte i përshtatshëm për përmbarim.

Por, Zeka nuk ishte ndalur.

Ajo kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Qarkut kundër vendimit të lartcekur.

“Trokitja në derë” të Prokurorit të Shtetit

Me 28 qershor 2011 edhe kjo Gjykatë e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe kishte vërtetuar aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Komunale.

Parashtruesja e kërkesës pastaj i  kishte “trokitur në derë” Prokurorit të Shtetit  duke kërkuar prej tij që të parashtrojë në Gjykatën Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Prokurori i Shtetit kishte konsideruar se vendimet e kontestuara ishin nxjerrë me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, dhe se kjo çështje duhej të  kthehej përsëri në gjykatën e shkallës së parë për rishqyrtim shkruan AktivPress.

Me 10 prill 2014, Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kishte prishur dy vendimet e gjykatave të instancës më të ulët dhe kishte kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë për rishqyrtim.

Kjo Gjykatë kishte nxjerr konstatimin se gjykatat e instancës më të ulët kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale, dhe se vendimi i KPMK-se ishte dokument i ekzekutueshëm gjyqësor.

Me 24 qershor 2014, Gjykata Themelore kishte konstatuar se Aktvendimi i KPMK-së është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm dhe se Ministria është e obliguar ta ricaktojë parashtruesen e kërkesës në vendin e punës së të njëjtit nivel dhe page siç e kishte para sistematizimit të sërishëm.

Por, Ministria kishte parashtruar ankesë duke pretenduar se “propozimi për lejimin e ekzekutimit është parashtruar pas kalimit të më shumë se dy vjetëve”.

Kështu, me 24 tetor 2014, Gjykata Themelore e aprovon kundërshtimin e Ministrisë dhe e refuzon propozimin e parashtrueses së kërkesës për ekzekutimin e vendimit të KPMK-së si të paafatshëm.

Por, Zeka kishte parashtruar në Gjykatën e Apelit ankesë kundër vendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, mirëpo kjo gjykatë e kishte refuzuar ankesën e saj duke e vërtetuar aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Themelore.

Pas kësaj, Zeka i kishte parashtruar një propozim të ri Prokurorit të Shtetit që të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimeve të lartcekura të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.

Me 19 tetor 2015, Prokurori i Shtetit e kishte njoftuar parashtruesen e kërkesës se ai nuk ishte në gjendje të parashtrojë një kërkesë të tillë pasi propozimi i saj për ekzekutimin e vendimit të KPMK-së ishte i paafatshëm.

E drejta e Zekës e vulosur nga  Gjykata Kushtetuese

Kur i ka shterur të gjitha këto mundësi, Zeka i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Pas shqyrtimit të rastit, gjyqtarët kushtetues, këtë muaj nxorën vendimin në favor të ankueses.

Në aktgjykim thuhet se: “Gjykata është e goditur nga qasja jokonsistente e gjykatave të rregullta dhe e Ministrisë kur vëren se parashtruesja e kërkesës, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e saj për me shumë se dhjetë vite, ende nuk i ka gëzuar të drejtat që i janë njohur asaj me vendimin përfundimtar të KPMK-së. Ne fakt, ky vendim, sa i përket çështjeve të faktit dhe ligjit, duhej të ishte zbatuar nga Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Ministria brenda afatit të caktuar nga KPMK-ja dhe ligji i aplikueshëm në Kosovë”.

Gjykata po ashtu thotë të jetë goditur me faktin se pretendimi i parashtrueses së kërkesës nuk është marrë seriozisht dhe është dërguar para- prapa për më shumë se dhjetë vite nga Ministria dhe nga gjykatat e rregullta, shkruan AktivPress.

Problemi, sipas Gjykatës Kushtetuese është komplikuar edhe më shumë kur gjykatat kanë hedhur poshtë propozimin e parashtrueses për përmbarimin e vendimit të KPMK-së, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme me të cilin u konstatua se vendimi i KPMK-se është një dokument përfundimtar dhe i përmbarueshëm.

Si përfundim, Gjykata Kushtetuese konstaton se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1, të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Me këtë rast, Kushtetuesja ka urdhëruar Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jo-Rezidente që ta zbatojë vendimin e KPMK-së  të 4 shtatorit 2007, të nxjerrë në dobi të parashtrueses së kërkesës, njëherësh të dorëzojë informata në Gjykatën Kushtetuese për masat e ndërmarra për zbatimin e këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.