Një çantë e dyshimtë mban Bernën të bllokuar për disa orë

02.08.2017 09:03
Një çantë e dyshimtë mban Bernën të bllokuar për disa orë

Një objekt i dyshimtë (çantë shpine) e lënë në sheshin kryesor të Bernës, Bundesplatz, ka bërë që policia të bllokojë për qarkullim mbrëmjen e të martës sheshin e përmendur dhe rrugët rreth tij. Bllokimi është hequr pak pas mesnatës, njofton Policia Kantonale e Bernës, shkruan bernerzeitung.ch.

Çanta e dyshuar e shpinës është hequr përmes një roboti nga vendi dhe pritet të kontrollohet. Sipas njoftimeve të deritashme, ajo i takonte një personi i cili, para se ta linte aty, sipas kalimtarëve ka shqiptuar kërcënime, transmeton albinfo.ch.

Personi në fjalë është arrestuar dhe po merret në pyetje, bën të ditur policia. Në bazë të gjendjes aktuale të hetimeve nuk ka të dhëna se bëhet fjalë për ndonjë akt terrorist.

Ende mbetet e paqartë nëse personi i arrestuar ka qenë i armatosur ose jo. Policia nuk jep informata rreth kësaj ndërsa kërkon dëshmitarë që e kanë parë personin në fjalë me çantë.