Një avokat tregon se si gjenerali ka mundur ta fuste “helmin që e piu” në gjykatë

29.11.2017 17:48
Një avokat tregon se si gjenerali ka mundur ta fuste “helmin që e piu” në gjykatë

Slobodan Praljak, një nga gjashtë ish-udhëheqësit politikë dhe ushtarakë kroatë të Bosnjës, ka thënë se “ka pirë helm”, gjatë një seance dëgjimore për apel për krime lufte në Hagë.

Siç edhe ishte bërë e ditur më herët, përcjell Telegrafi, ai këtë veprim e kishte bërë kur dëgjoi se ai do ta vuajë dënimin e tij prej 20 vitesh burg.

Ai u dënua me 20 vjet burgim në vitin 2013 për krime në Lindje të Mostarit.

Pas këtij veprimi, gjykata ka suspenduar seancën.

Ndërkohë, avokati me përvojë disavitëshe i Gjykatës së Hagës, Goran Mikuliçiq, deklaroi se një shishe e vogël me helm mund të futet në gjykatore.

Siç ka thënë ai, shkruajnë mediat serbe, ekzistojnë kontrollet në rast të hyrjes në gjykatë, por jo aq të detajuara sa që të zbulohet edhe shishja e vogël.

“Nuk ka ndonjë kontroll të të gjithë trupit, sidomos kur nuk ka ndonjë indikacion se duhet të ketë diçka të tillë”, ka thënë Mikuliçiq, përcjell Telegrafi.

Kështu që, siç ka shtuar ai, Praljak, për shembull, ka mundur pa probleme që shishen të fuste në këpucë.

Në pyetjen se kush mund ta dërgojë atë në burgun e Sheveningenës, avokati Mikuliçiq thotë se çdo i burgosur ka të drejtë në vizita të familjarëve, shokëve, gazetarëve dhe avokatëve, por se aty, askush përveç avokatëve nuk ka të drejtë të futet me çantë.