Nitaj i thotë Mikullovcit se duhet ta mësojë rregulloren e Kuvendit

24.08.2017 19:31
Nitaj i thotë Mikullovcit se duhet ta mësojë rregulloren e Kuvendit

Deputeti më i vjetër në parlamentin e Kosovës, njëherit edhe kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci sot tha se nuk do të thërras seancë nëse PAN nuk deklarohet se i ka numrat dhe nuk i plotëson të gjitha kushtet që i kërkohen.

Mirëpo, këtij i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj. Ai ka thënë, se kryesuesi i seancës konstituive e thërret seancën kur t’i kërkohet e jo kur t’i teket atij, bile Nitaj tha se Mikullovci duhet të jetë më mirë i informuar rreth rregullores së Kuvendit.

“Kryesuesi i seancës konstitutive, i thërret mbledhjet kur t’i kërkohet e jo kur t’i teket atij. I kisha sugjeru z Mikullovci, që ta mësojë përmendësh rregulloren e Kuvendit, sepse shkojë dëm me ekspertizën e tij”, ka thëne Nitaj për lajmi.net.

Zëdhënësi i AAK-së tha se Mikullovcin është mirë ta mësoj dikush si të sillet në Kuvend, pasi ai nuk ka të drejtë të komentojë nga karrigia ku është ulur, por të foltorja.

“Ai nuk ka të drejtë të komentojë asgjë nga karrigia ku është ulur, siç bëri edhe sot në disa raste. Ai është i barabartë me të gjithë deputetët tjerë, dhe kur ka debat, nëse ka, duhet të qohet nga karrigia e kryesuesit e të komentojë në foltore, vetëm në cilësinë e deputetit, e kurrsesi të kryesuesit. Është mirë t’ia thotë dikush këtë!”, është shprehur Nitaj.

Tutje, Nitja ia bëri me dije Mikullovcit se ai nuk duhet të sillet si “baba” në Kuvend, ani pse ka përparësinë e moshës ta udhëheq seancën.

“Ai (Mikullovci) e ka përparësinë e moshës, të cilën e përcakton rregullorja dhe unë e respektoj, por kjo nuk i jep asnjë të drejt tjetër, që ai të sillet si “baba” në Kuvend”, ka thënë në fund Nitaj. /Lajmi.net/