NISMA i thotë po ftesës së kryeministrit, por ka një kusht

Pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe Nisma për Kosovën ka vendosur që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit për një takim të përbashkët që të diskutohet rreth Demarkacionit.

NISMA i thotë po ftesës së kryeministrit, por ka një kusht

Nisma megjithatë ka një kusht që të ulet me qeveritarët – në takim duhet të flitet për një version të ri të Demarkacionit.

“Nëse kryeministri kërkon takim me opozitën për ta ndihmuar atë që ta rishikojmë, apo rrëzojmë bashkë këtë version të marrëveshjes në Kuvend, atëherë për hir të interesave të Kosovës do t’i përgjigjeshim pozitivisht ftesës për takim”, ka thënë për KlanKosova.tv sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi.

Ndryshe takimi nuk vlen për Nismën.

“Në asnjë rast nuk do të shkonim në një takim me të (Isa Mustafën) në rast se ky takim do të kishte për qëllim legjitimimin e kësaj marrëveshje. Ky version i marrëveshjes nuk kalon, prandaj qeveria nuk ka alternativë tjetër përveç tërheqjes nga marrëveshja”, thotë Sherifi.

Por, version të ri të marrëveshje s’besohet se do të ketë, nisur edhe nga fjalët e vet kryeministrit Isas Mustafa, i cili kur e tërhoqi herën e parë marrëveshjen e Demarkacionit nga Parlamenti para se të shkojë në votim, tha se ajo nuk ka përse të rishikohet.

Megjithatë, në raundin e ri të bisedimeve, Mustafa ka thënë se Opozita edhe njëherë do të ketë mundësi të ofrojë faktet se shënjimi i vijave ndarëse me komshinjtë malazezë është bërë gabim. /Insajderi.com