Veprimtaria e dyshimtë e gjinekologut turk në Kosovë

25.11.2017 11:30

Ministria e Shëndetësisë i ka ndaluar veprimtarinë në Kosovë gjinekologut turk Ahmet Payasli, pasi që javën e kaluar gjatë bastisjes në klinikën e tij private u gjetën produkte medicinale pa afat e me prejardhje të dyshimtë. Ndërkaq Prokuroria e Shtetit ka nisur zyrtarisht hetimet ndaj tij.

Veprimtaria e dyshimtë e gjinekologut turk në Kosovë

Javën e kaluar Njësiti i Hetimeve të Krimeve Ekonomike të Rajonit të Prishtinës, Departamenti i Hetimeve në ATK dhe Inspektorati Farmaceutik kanë bastisur klinikën private të gjinekologut turk në Kosovë, Ahmet Payasli.

Në këtë klinikë u konfiskuan para të gatshme, barna pa afat, produkte medicinale me prejardhje të dyshimtë, të cilat përdoren për kryerjen e fertilizimit të asistuar (IVF-së), si dhe epruveta me përmbajtje të panjohur.

Lidhur me rastin, Prokuroria e Shtetit ka nisur zyrtarisht hetimet. Këtë për Insajderin e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë, Hekrem Lutfiu.

“Shkresat e lëndës janë duke u bërë gati që t’i dorëzohen njërit nga prokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, i cili do të jetë kompetent t’i zhvillojë hetimet e mëtutjeshme”, tha Lutfiu.

“Dr. Payaslit” i ndalohet veprimtaria në Kosovë

Të premten e javës së kaluar në mbrëmje ishte zhvilluar aksioni i bastisjes në klinikën specialistike gjinekologjike të doktorit Payasli në Prishtinë.

Inspektorati Shëndetësor që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pas informatave nga Administrata Tatimore dhe Inspektorati Farmaceutik për të gjeturat në klinikë dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, ka konstatuar se ky gjinekolog vepronte pa licencë.

Lejes së tij të punës i kishte skaduar afati në muajin shtator, shkruan Insajderi.

Gjinekologu Payasli kishte bërë kërkesë për vazhdim e vendimit për leje pune, por që kërkesa e tij nuk është miratuar nga Bordi për Licencim të Profesionistëve Shëndetësorë, me arsyetimin se pritej vendimi nga Komisioni Etik Profesional i ShSKUK-së, për një rast të ankesës së një pacienteje ndaj shërbimeve në këtë klinikë.

Pas këtij rasti dhe shqyrtimit të dokumentacioneve të tjera, Inspektorati Shëndetësor i ndaloi punën klinikës së Dr.Payasli.

“Pas marrjes së kësaj informate, Inspektorët Shëndetësorë kanë dalë edhe një herë në inspektim në institucionin e njëjtë, me ç’rast Dr. Payasli ia kanë ndaluar ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore, deri në marrjen e një vendimi nga Bordi për Licencim të Profesionistëve Shëndetësorë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor.

Ankesa e pacientes që rezultoi me gjobë ndaj gjinekologut Payasli

Lidhur me veprimtarinë e gjinekologut turk Ahmet Payasli, në fillim të këtij  viti, një paciente shtatzënë ishte ankuar për shërbimet shëndetësore të ofruara.

Inspektorati Shëndetësor filloi inspektimin pas kësaj ankese, e cila rezultoi me gjobë ndaj tij.

“Dr. Payasli është inspektuar më herët gjatë këtij viti dhe si rezultat i inspektimit: Dr. Payasli është gjobitur për mospërdorim të dokumentacionit unik shëndetësor sipas Udhëzimit  Administrativ 02/2010 në shëndetësi”.

“Për shkak të moskomunikimit në gjuhët zyrtare të Kosovës, Inspektorati Shëndetësor i është drejtuar Bordit për Licencim të Profesionistëve Shëndetësorë me pyetje a ekzistojnë kritere të njohjes së gjuhës për profesionistët shëndetësorë që janë qytetarë jokosovarë, ndërkaq për sqarime rreth punës etiko-profesionale, lënda i është referuar Komisionit Etik-Profesional në ShSKUK, Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor.

Kjo ankesë e pacientes përveç që ndikoi në shqiptimin e gjobës ndaj gjinekologut Payasli, u bë shkak i shqyrtimit të Komisionit Etik-Profesional në ShSKUK dhe vonesës në vendimin për vazhdimin ose jo të licencës së punës së gjinekologut.

Inspektorati farmaceutik: Hetimet vazhdojnë

Bastisja ka filluar pas dyshimeve se kjo ordinancë gjinekologjike ishte duke iu shmangur tatimit. Por gjatë inspektimit nga institucionet përgjegjëse, përveç se u gjetën para të gatshme të cilat nuk rezultuan me deklarimet e saj në ATK, doli se janë përdorur edhe barna pa afat dhe me prejardhje të dyshimtë.

Ushtruesi i drejtorit të Inspektoratit Farmaceutik, Shaban Osmanaj, i cili ka asistuar gjatë bastisjes, tha për Insajderin se gjatë inspektimit në “Klinika Dr.Payasli”, nuk ishin ofruar dëshmi për materialet të cilat edhe janë konfiskuar.

“Gjatë inspektimeve të datës 17.11.2017 deri në orët e para të datës 18.11.2017 si dhe riinspektimeve të mëvonshme, Inspektorati Farmaceutik ka evidentuar, karantinuar, konfiskuar të gjitha barnat, disa epruveta me likide ngjyrë rozë si dhe dy epruveta PVP Human, për të cilat pala e inspektuar nuk na ka ofruar dëshmi për prejardhjen e tyre”.

“Për pasojë të gjitha këto produktet janë evidentuar, disa prej tyre janë karantinuar (ato që kanë pasur banderola të Republikës së Kosovës), kurse barnat që nuk kanë pasur banderola si dhe epruvetat me likid janë evidentuar dhe konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik për analiza të mëtutjeshme”, tha Osmani.

Për më tepër, Osmani thotë se janë duke i vazhduar hetimet.

“Po ashtu Inspektorati Farmaceutik akoma nuk ka përfunduar hetimet lidhur me rastin dhe jemi në vazhdim të procesit duke bashkërenduar punët me organet e tjera kompetente”, tha Osmani.

Ndërkaq, Inspektorati Shëndetsor, pasi ishte njoftuar se në klinikë ishin gjetur të dhëna që ngrisin shqetësime për kryerje të shërbimeve të fertilizimit të asistuar mjekësor në ambientet e këtij institucioni shëndetësor, ka dalë në inspektim.

Gjatë bastisjes, në këtë institucion thonë se nuk janë gjetur fakte për kryerje të shërbimeve të fertilizimit të asistuar mjekësor në ambientet e të njëjtit, por pritet hetimi i hapësirave të tjera ku ka mund të kryhet.

“Megjithatë, ka mbetur të vërtetohen shërbimet e kontraktuara me institucionet e tjera shëndetësore, (si laborator biokimie, sallë lindjeje, shërbime FAM etj)”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Insajderi ka kontaktuar në klinikën e gjinekologut Ahmet Payasli, por zyrtarja që është lajmëruar në numrin zyrtar të klinikës, duke mos dashur të prezantohet dhe të deklarohet rreth kësaj çështjeje tha shkurt: “përgjigjet rreth kësaj teme mund t’i merrni pas përfundimit të hetimit”. /Insajderi.com