Nishani i thotë presidentit maqedonas se shqiptarët janë faktor shtetformues

Nishani i thotë presidentit maqedonas se shqiptarët janë faktor shtetformues

Gjatë Forumit të pestë Global të Bakusë në Azerbajxhan ku po merr pjesë, Presidenti Nishani është takuar me homologun e tij maqedonas Gjorge Ivanov.

Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë, njofton top channel.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje. Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani theksoi se ata janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime  për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Gjithashtu, Presidenti Nishani u prit edhe nga homologu i tij nga Azerbajxhani,Ilham Aliyev, si dhe u takua edhe me Presidentin e Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili.

Duke vlerësuar rolin e Presidentit Aliyev në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Nishani nënvizoi gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të pasurohen më shumë. “Projekti i gazsjellësit TAP po zbatohet me shumë sukses në pjesën e territorit shqiptar dhe do të hapë perspektiva të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve, me mundësi shtrirjeje më pas edhe në vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.”, u shpreh Presidenti Nishani.