Nis procesi i “Brexit”, alarm për klubet e Premier League

Nis procesi i “Brexit”, alarm për klubet e Premier League

Kryeministria konservatore britanike Thersa May ka nënshkruar letrën që, formalisht, do të nisë procesin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian pas 44 vitesh. Ky proces pritet të ketë një efekt domino me ndikim në ekonomi, jetën sociale, tregun e punës dhe marrëdhënien mes kombeve. Më 23 qershor të 2016-ës 46 milionë e gjysmë anglezë kanë votuar në favor të ndarjes, por të gjithë klubet e Premier League kanë qenë kundër këtij divorci.

“Besoj se duhet të qëndrojëm në Europë, – ka thënë Richard Scudamore, administratori i deleguar i Premier League. – Ndarja, ndër të tjera, do të krijonte shumë vështirësi për futbollin tonë, veçanërisht për sa i takon kontratave mes lojtarëve dhe klubeve”.

Por thirrjet e bëra për të votuar kundër daljes nga Europa nuk janë dëgjuar dhe tani këto probleme pritet të kthehen në realitet.

Aktualisht, rreth 65% e futbollistëve që luajnë në skuadrat e Premier League janë të huaj. Një përqindje kaq e lartë meriton një vëmendje të madhe dhe, sigurisht, do të shtyjë drejtuesit e Federatës Angleze të Futbollit që të vihen në kërkim të zgjidhjes më pak të dhimbshme të mundshme.

Për momentin po diskutohen tri hipoteza: 1) Lojtarët europianë të konsiderohen si të barabartë me ata jo europianë: për të luajtur në Premier League edhe ata do të duhet të bëjnë një kërkesë për leje pune, kërkesë që mund të bëhet vetëm pasi një lojtar ka zhvilluar 30% të ndeshjeve me kombëtaren respektive (përqindja e kërkuar varet nga renditja e FIFA-s) në dy vitet e fundit. Një rrugë kjo që do të çonte në një shpërbërje të grupit të lojtarëve të BE-së që luajnë me skuadrat angleze. Në fakt, aktualisht vetëm 50 nga 161 futbollistë plotësojnë kushtet e duhura për t’u federuar. 2) Krijimi i rregullave të reja për të siguruar shërbimet e tyre sportive. 3) T’i kërkohet qeverisë angleze që t’i bëjë një kërkesë Europës për ta konsideruar Premier League brenda hapësirës ekonomike europiane, një zgjidhje që do ta linte situatën kështu siç është tani.

Edhe pse Britania e Madhe nuk ka përdorur kurrë Euro, për këtë arsye nuk do të ketë një ndryshim të valutës, impakti i “Brexit” mbi vlerën e sterlinës do të ndihet. Që rani pas referendumit që ka sjellë ndarjen, monedha britanike ka pësuar një rënie të menjëhershme, duke humbur kryesisht ndaj euros. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, çmimet e futbollistëve të Premier League mund të ulen ndjeshëm dhe klubet e mëdha të kampionateve të tjera do të hidheshin në sulm për të marrë lojtarët e Premier, duke e varfëruar këtë kampionat, ndërsa, nga ana tjetër, për shkak të këmbimit jo të favorshëm, klubet e mëdha të Anglisë do ta kishin të vështirë të blinin kampionët e mëdhenj nga klubet që janë brenda euros.

Chelsea i Antonio Conte-s është ekipi që mund të prektet më shumë nga ndryshimet e ardhshme. Shifrat, në fakt, flasin qartë. Totali i ndeshjeve të luajtura me përfaqësueset nga lojtarët e “Blues” me kombësi europiane ka arritur në 222 takime dhe për momentin 76% e golave janë realizuar nga lojtarë që kanë lindur në Kontinentin e Vjetër. Dhe ka më shumë. 74% e lojtarëve të federuar janë europianë ose kanë një “pasaportë të dytë” europiane, si David Luiz për shembull (brazilian, por edhe shtetas portugez). Kjo është e mundur sepse klubet nuk kanë limite për vendet që mbulohen nga lojtarë që kanë lindur në një komb të Bashkimit Europian ose janë nënshtetas të këtyre vendeve. Por me daljen e Britanisë së Madhe nga Europa edhe këta lojtarë do të duhet të bëjnë kërkesë për leje pune dhe ky fakt mund të detyrojë shumë futbollistë t’i thonë lamtumirë Premier League, duke përfshirë këtu edhe disa yje. Pse Chelsea rrezikon më shumë? Sepse skuadra është e përbërë nga shumë kampionë europiane, më shumë se rivalët e drejpërdrejtë për titullin. (Në vendin e dytë është Manchester City që nuk arrin as në 60%, kundër 74% të londinezëve), shkruan telesport.

Për këto arsye, motori i mesfushës së Chelsea, N’Golo Kante, që në sezonin e kaluar ka qenë vendimtar në titullin e fituar nga Leicester City, me rregullat e reja nuk do të kishte mundësi të luante me Chelsea dhe me asnjë klub tjetër anglez, për shkak se në dy vitet e fundit nuk ka zhvilluar numrin e mjaftueshëm të ndeshjeve me kombëtaren e tij (Franca). Por ekziston një aspekt pozitiv. Rilindja e ekipeve të moshave, që falë këtyre limiteve për lojtarët e huaj, do të ktheheshin të furnizonin me futbollistë titullarë klubet e mëdha. Një avantazh ky që mund të ndihmojë edhe kombëtaren e “Tre Luanëve”, që penalizohet prej kohësh nga prania e madhe në klubet kryesore të Premier League e lojtarëve të huaj.