Nikoliq thotë se “Serbia dëshiron paqe me Kosovën”

Nikoliq thotë se “Serbia dëshiron paqe me Kosovën”

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka deklaruar se vendi i tij do të insistojë në paqe me Kosovën dhe respektim të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës, por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm me një kusht nëse të dyja palët e bëjnë këtë.

Nikoliq ka thënë se Serbia do ta vazhdojë dialogun dhe se nuk do të jetë ajo që do ta ndërpres. “Dëshirojmë paqe dhe ne nuk do ta rrezikojmë”, tha Nikoliq për “Sputnik”.

Presidenti serb tha se respektimi i marrëveshjeve është kusht për paqe.

“Shqiptarëve do t’u themi hapur se respektimi i marrëveshjeve është kusht për paqe, ndërsa përfaqësuesve të BE-së do t’u themi se e kanë për obligim që të jenë të parapërgatitur. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë të ndalojnë cilindo aksion, i cili kërcënon në mënyrë direkte paqen dhe sigurinë e të gjithë banorëve të Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Nikoliq.

Presidenti serb ditë më parë, pas ndalimit të trenit serb me ikonografi nacionaliste, në kufirin Kosovë-Serbi, ishte kërcënuar se në Kosovë do të dërgonte ushtrinë serbe. /Insajderi.com