Nikoliq: Kosova do ta pësojë keq nëse edhe njëherë provokon

Nikoliq: Kosova do ta pësojë keq nëse edhe njëherë provokon

Presidenti serb Tomislav Nikoliq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur për rastin e trenit, ka thënë se ai mendon se e gjithë kjo ngjarje lidhet me tranzicionin që po ndodhë në administratën amerikane, pra kalimin e pushtetit nga demokratët e Obamës, te republikanët e Trump.

Nikoliq, pengimin e trenit rus për të hyrë në Kosovë e ka cilësuar si provokim për të nxitur luftë nga ana e Prishtinës, dhe ka kërcënuar se nëse edhe një herë ndodhë kështu, Kosova do ta pësojë keq, shkruan Gazeta Metro.

Ai ka thënë se tani temë e dialogut në Bruksel do të duhet të jetë treni, apo liria e lëvizjes.

Nikoliq ka thënë se BE-ja duhet të përgjigjet nëse është e vërtetë se deklarata e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës për ngjarjen e djeshme ishte me pëlqimin e Brukselit.

Me nxjerrjen e njësive speciale në veri, sipas Nikoliqit, shqiptarët kërkuan luftë.

Më pas ai ka kërcënuar se në çdo përpjekje tjetër të tyre dhe e përkrahësve të tyre e ngjashme do ta pësojnë keq.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, dhe ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, Nela Kuburoviq nga ministria e Drejtësisë, dhe shefi i Policisë Vladimir Rebiq.

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njëjtë sikurse Nikoliq, pas takimit akuzoi Kosovën për nxitje të luftës.

Ai tha se veprimi i Prishtinës lidhur me hapat e ndërmarrë në rastin e vijës hekurudhore Beograd – Mitrovicë, treguan se ata donin të provokonin një konflikt më të gjerë në Ballkanin Perëndimor.

Edhe Vuçiq kërcënoi Kosovën, duke thënë se Serbia nuk lejon që serbët të sulmohen me armë.