Ngrohja globale do të jetë më e lartë sesa pritej

01.08.2017 15:44
Ngrohja globale do të jetë më e lartë sesa pritej

Ngrohja globale pritet që të rritet për mbi 2 shkallë deri në fund të shekullit 21, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dy hulumtime të cilat janë bërë në mënyrë tërësisht të pavarur njëri nga tjetri dhe me metoda të ndryshme, të publikuara në revistën “Nature Climate Change”, kanë vënë në dukje se bota do të ngrohet së paku 2 shkallë në fund të këtij shekulli.

Sipas hulumtimit të realizuar nën udhëheqjen e profesorit Adrian Raftery në Universitetin e Washington-it, mundësia që ngrohja globale në fund të shekullit të rritet mes 2 dhe 4.9 shkallë është 95 për qind, ndërsa 1.5 shkallë ose më pakë është 1 për qind. Raftery parashikoi se rritja mesatare e temperaturës do jetë 3.2 shkallë.

Ndërkohë në hulumtimin tjetër të bërë nga Thorsten Mauritsen nga Instituti Meteorologjik Max Planck, ku janë shqyrtuar emitimi i gazrave serrë dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile, edhe nëse njerëzit e ndalojnë përdorimin e lëndëve djegëse fosile që tani, bota deri në vitin 2100 do të ngrohet rreth 2 shkallë.

Mauritsen parashikoi që në rast se vazhdojnë emitimet e gazrave serrë edhe 15 vite rritja e temperaturës mund të jetë edhe deri më 3 shkallë.

Ambientalistët theksuan se të dyja punimet janë bërë para se të tërhiqet presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nga Marrëveshja e Parisit.

Marrëveshja e Parisit ka për qëllim që rritja mesatare e temperaturës në nivel global të kufizohet për 1.5 deri më 2 shkallë deri në fund të shekullit 21.