Ngritet çmimi i konsumit në Kosovë

Ngritet çmimi i konsumit në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shkurt të vitit 2017.

Për krahasim mujor, çmimet e konsumit janë rritur për 0.2% në shkurt krahasuar me muajin janar të këtij viti.

“Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.2%), pemë (3.4%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK,” thotë njoftimi i ASK, shkruan Epoka e re.

Ndërsa për krahasim vjetor, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 1.7% në muajin shkurt 2017, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2016

Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

“Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.9%); qumësht, djathë dhe vezë (6.0%); sheqer dhe ëmbëlsira (7.3%); kafe, çaj dhe kakao (5.8%); duhan (5.1%); veshje (1.5%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (3.9%) – (ngritja e çmimit të drunjve për ngrohje); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (13.1%) – (ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.0 për qind në IHÇK,” thotë ASK.

Për neutralizim të kësaj ngritje kemi edhe disa rënie të çmimeve.

“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: perime (-4.1%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-4.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK”, është thënë në njoftimin ASK-së.

Në vitin 2016, IHÇK ishte ngritur mesatarisht me 0.3% krahasuar me vitin e kaluar 2015.