Nga Zuckerberg, tek Jobs – librat që u ndryshuan jetën më të pasurve të botës

20.11.2017 13:19
Nga Zuckerberg, tek Jobs – librat që u ndryshuan jetën më të pasurve të botës

Jeni i ri, pa punë, pa drejtim. Me shkollën s’po dilni kund. Praktikisht asgjë në jetë s’po funksionon. Gjëkundi duhet të përplasesh, të gjesh frymëzim e rrugën që do të ndjekësh. Në të njëjtën situatë janë gjendur një herë edhe më të pasurit e botës, ata që ndryshuan shoqërinë me idetë e tyre.

Ata dolën nga kjo gjëndre kllapie përmes librave dhe më poshtë është një listë me disa nga personat më me ndikim në botë dhe veprat që u ndryshuan jetët.

Mark Zuckerberg – The New Jim Crow, Michelle Alexander

CEO i Facebook, Mark Zuckerberg u bë një mbështetës i fuqishëm i reformimit të sistemit gjyqësor pasi lexoi veprën e avokates së të drejtave civile, Michelle Alexander. Libri i saj flet për burgosjet në masë dhe se si kjo është rruga e gabuar për rehabilitimin e një shoqërie. Në një postim, në 2015, Zuckerberg tha se libri e frymëzoi të vizitonte burgun e San Quentin.

“Do të mësoj më tepër rreth kësaj çështjeje, por disa gjëra i kam të qarta që tani. Nuk mund të përfitojmë një shoqëri të drejtë duke burgosur shumicën. Sistemi i tanishëm nuk funksionon.”

Më pas, ai dhe gruaja e tij Dr. Priscilla Chan, dhuruan $6.5 milion për një projekt që nxjerr në pah padrejtësitë e sistemit gjyqësor.

Bill Gates – The Better Angels of Our Nature, Steven Pinker

Në një postim në Twitter në maj, Gates e quajti librin e mësipërm “librin më frymëzues që ka lexuar ndonjëherë”.

Vepra e Pinker shpjegon se dhuna është pakësuar me kalimin e kohës dhe kjo tregon se “bota po përmirësohet.

“Nuk do të thotë se po injorojmë problemet që kemi tani. Do të thotë që besojmë se mund të zgjidhen,” tha Gates.

Steve Jobs – Autobiography of a Yogi, Paramahansa Yogananda

Udhëtimi i Jobs-it në Indi para se të themelonte Apple është një detaj i rëndësishëm për të ardhmen e kompanisë që ai nisi.

Pas vdekjes së Jobs në 2011, miqve dhe familjarëve iu dha nga një kopje e “Autobiography of a Yogi”, shkruar nga një guru indian, i cili u prezantoi meditimin kulturave perëndimore.