Nga zëvëndëskryeministri tek shoferi – Rrëfimet e punëtorëve që nuk morën kurrë pagë nga Tribuna

Nga zëvëndëskryeministri tek shoferi – Rrëfimet e punëtorëve që nuk morën kurrë pagë nga Tribuna

Borxhi që Tribuna Media Group e posedon ndaj ish-punëtorëve të saj, fillon që nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi, e deri tek ish-shoferët e këtij medium. Insajderi ka kontaktuar me disa nga ish-punëtorët e Tribuna Channel, të cilët kanë rrëfyer për maltretimin në paga që ky medium ua ka bërë ndër vite.

Ish-autori dhe moderatori i emisionit “Republikë”, tani zëvendëskryeministër dhe ministë i Diasporës, Dardan Gashi, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pati deklaruar se Tribuna Channel, i ka mbetur borxh atij dhe gruas së tij, Jehona Bajrami-Gashi, në shumë prej 11870 eurove.

Insajderi kishte kontaktuar me zv.kryeministrin Gashi, i cili pati thënë se nuk e përjashton mundësinë e e ngritjes së padisë ndaj këtij mediumi.

Këtë konfirmuar edhe shumë ish-punëtorë të këtij mediumi, të cilët më në fund kanë folur për borxhet e mëdha që Tribuna Channel e posedon ndaj tyre.

Ish-kryeredaktorja dhe autorja e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”, Teuta Gashi, teksa ka folur për borxhin prej 2 mijë e 400 euro që “Tribuna Media Group”, nuk ia ka paguar, ka thënë se për një kohë shumë të shkurtë do të bëjë padi në Gjykatat e Kosovës.

“Ai medium, shkel të drejtat e punëtorëve duke shkelur kështu edhe Ligjin. Unë jam duke ndjekur procedurat ligjore për tu përballur me ta në Gjykatë. Por duhet Inspektorati të veprojë . Duhet dal me teren me pa qe sa muaj nuk kanë marr punëtorët paga”’ ka thënë ajo.

Producenti i njohur, Ilir Tolaj, i cili për muaj të tërë kishte punuar si producent i emisioneve në Tribuna Channel, në një bisedë për Insajderi, ka konfirmuar për disa paga borxh që ky medium i ka ndaj tij. Po ashtu, Tolaj ka thënë se pronarët e Tribuna Channel, nuk ia kanë dhënë atij një shumë të madhe të parave, për reklamat që ai i ka dërguar në televizion, dhe kësisoj sipas tij, ata kanë shkelur marrëveshjen në mes tij dhe pronarëve të televizionit.

 

FOTO: Ilir Tolaj & Teuta Gashi, ish-producent dhe ish-kryeredaktore në Tribuna Channel

Kiki Rrahmani nga Janari i këtij viti nuk është më pjesë e Tribuna Channel. Ajo kishte udhëhequr për një kohë të gjatë emisionin “LEMzA”, ku kishte vendosur ta lë këtë medium për shkak që si ka thënë ajo të pa mundësisë së zhvillimit normal të emisionit të saj.

E kontaktuar nga Insajderi ajo ka thanë se ishte kënaqësi të punojë me shumë të rinj inovativ dhe me shumë vullnet për punë, por ishte edhe e dhimbshme pasi përve të hollave për udhëtim, këta të rinj nuk kishin shpeshherë as edhe një cent në xhep, si pasojë e moskryerjes së obligimeve nga televizioni ku punonin, pasi nuk paguheshin me muaj të tërë, kështu duke shkelur mbi të drejtat e tyre.

Kiki pohon se kishte raste kur punonte deri më shumë se 12 orë gjatë ditës, kur kërkohej të kishte emisione rezervë apo udhëheqësve të televizionit nuk i pëlqente personazhi javor i emisionit për arsye të pakuptimta.

Përveç këtyre Kiki Rrahmani, ka thënë për Insajderi, se Tribuna Channel, i ka mbetur borxh në shumë prej dy mijë eurove.

FOTO: Kiki Rrahmani, ish-moderatore e emisionit LEMzA

Edhe moderatores së njohur, Albba Morines, Tribuna Channel i ka mbetur borxh katër paga, dhe muaj të tërë trust të papaguar. Morina kishte punuar në Tribuna Channel, në një periudhë më shumë se një vit, duke e moderuar emisionin “E’Zone”.

Në një përgjigje për Insajderi, Morina ka thënë se drejtuesit e televizionit vazhdimisht kanë qenë neglizhent ndaj detyrimeve financiare për punëtorët e saj.

“Tribuna Media Group ka 4 muaj oblgiime të pakryera ndaj meje, periudha shkurt-maj. Njëkohësisht Trustin nuk ma kanë paguar nga periudha shkurt 2017 deri në muajin maj 2018. Ajo çka kam vërejtur gjatë punës aty, është neglizhenca e drejtuesve në raport me obligimet e pakryera ndaj punëtorëve dhe krahas kësaj, gjatë punës sime në Tribuna Channel, jam vefasuar me vullnetin e stafit për të punuar me përpimëri dhe shumë përkushtim, ndonëse nuk kanë marrë rroga”, ka thënë Alba Morina.

 

FOTO: Alba Morina, ish-moderatore e emisionit “E’Zone”

Anita Ahmeti, kishte moderuar emisionin “Mëngjesi në Tribunë” dhe asaj nuk i janë paguar dy muaj nga paga e saj. Ajo për Insajderi ka thënë se është e pakuptimtë që ndaj këtij mediumi nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese pavarësisht ankesave të shumta që janë bërë në Inspektoriatin e Punës dhe padive në Gjykata.

“Borxhi i mbetur janë dy rroga të plots për dy muajt e fundit, sa kam qenë pjesë e këtij mediumi. Sa i përket Trustit, edhepse kontrubutet janë raportuar, nuk më janë paguar për 10 muaj. Madje, në bazë të raportit online të Trustit, kontributet janë deklaruar, por kuptohet jo paguar.

Madje, Trusti nuk më është paguar edhe në muajt e fundit sa kam qenë aty, e që nuk kam marrë pagë, e që në fakt është e pakuptueshme. Nuk e di nëse ka padrejtësi më të madhe në një vend pune, se vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e pagave dhe në shumë raste edhe mosdhënia e tyre, që rrjedhimisht nënkupton mos-vlerësim të punës së palodhshme të punëtorëve (punë të cilën e kam kryer me përgjegjësi të plotë), shkelje të kontratës, Ligjit të Punes, rrjedhimisht të të drejtave të punëtorëve dhe papërgjegjshmëri totale si punëdhënës, e sidomos kur është fjala për një medium. Ajo çka më është dukur e çuditshme, është se e gjithë kjo çështje, e që sipas informacioneve që kam – ka qenë problematike që nga fillimet e këtij mediumi, duke e përcjellur akoma në ditët e sotme, ka kaluar në heshtje, të paktën deri sot. Pavaresisht padive të shumta që ekzistojne karshi këtij mediumi, nuk duket se është ndërmarrë ndonjë vendim konkret që do ta shtyente t’i kryej detyrimet që ka ndaj bashkepuntorëve te tij. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kanë edhe autoritetet/institucionet përkatëse, që të mirren me hulumtimin dhe shqyrtimim e këtyre rasteve dhe të bëhet një zgjidhje e drejtë”, ka thënë Anita Ahmeti.

FOTO: Anita Ahmeti, ish-moderatore e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”

1230 euro është borxhi që Tribuna Channel e ka ndaj ish-gazetarit të saj, Herolind Rama. Ai për Insajderi, ka thënë se përkundër borxhit, ky medium nuk ia ka paguar atij asnjë muaj Trustin Pensional.

“Borxhi total i këtij mediumi ndaj meje, është 1230 euro, kurse Trustin pensional në bazë të evidencës së nxjerrur nuk e kanë paguar fare për asnjë muaj të vetëm. Padrejtësia më e madhe që bëhet nga ana e këtij mediumi, ka të bëj me atë se një pjesë punëtorëve të saj nuk trajtohen në mënyrë meritore për punën që e kryejnë e kjo kryekput  ndërlidhet me vonesat e pagave si dhe me mos pagesën fare të pagës në disa raste. Një problem tjetër që e përcjell kohë pas kohe këtë medium, ka të bëj kryesisht me natyrën e punës së përditshme, numri i paktë i kamermanëve dhe montazherëve si dhe mungesa e veturës në disa raste, kanë krijuar pengesa në realizimin e temave si duhet e kjo vetvetiu ka krijuar një ngarkesë për vet punëtorin dhe ka ndikuar në tejzgjatjen e orarit pa nevoj”, ka thënë Herolind Rama.

Drita Rashiti, për dy vjet me radhë kishte punuar si gazetare e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”. Ajo per Insajderi ka thënë se përkundër që secilin muaj i është ndalur një shumë e caktuar e parave për Trust Pensional, Tribuna nuk ia ka paguar as edhe një muaj të vetëm. Për dy vitet sa ajo ka qenë punëtore e kësaj medie, Drita Rashitit, Tribuna Media Group, nuk ia dhënë plotë pesë paga, e që shuma e tyre kalon mbi një mijë euro.

“Duke e përfshirë edhe vitin e kaluar, më kanë mbetur borxh pesë rroga. Rreth dy vjet kam punuar në Tribuna Channel dhe nuk më është paguar as edhe një muaj Trust Pensional, pavarësisht që një pjesë e pagës më është ndalur për të”, ka thënë ajo.

Padrejtësia më e madhe që ju bëhet punëtorëve në këtë medium janë vonesat e pagave dhe shpesh herë edhe mosdhënia e tyre, edhe pse pjesa më e madhe e punëtorëve punojnë jashtë orarit të punës.

“Pengesa më e madhe ka qenë që kur kemi dashtë ta trajtojmë një temë, nuk na janë plotësuar kushtet për të trajtuar atë temë. Gjithherë kemi pasë mungesë për diçka, si në transport apo pajisje teknike”, ka thënë Rashiti.

Sjellje prej kapadiu, i cilëson sjellet e shefave të Tribuna Media Group, ish-montazheri i kësaj medie, Qëndrim Dedinca. Ai për Insajderi ka thënë se borxhi i televizionit ndaj tij është 400 euro, dhe katër muaj Trust Pensional të papaguar.

“Borxhi i këtij mediumi ndaj meje është 400 euro. Trustin Pensional nuk ma kanë paguar për 4 muaj rresht. Padrejtësia më e madhe e këtij mediumi qëndron në pagesën mujore e cila jo që nuk vëhet me rregull, por nuk bëhet fare. Një element tjetër që më ka penguar në Tribuna Channel, ka qenë që shumë punëtorë kanë mbajtur familjen e tyre me pagën e këtij televizioni, e që shpesh’herë nuk e kanë marrë. Kurse, ‘shefat’ janë sjellë si ‘kapadai’ tu honger e tu pi, me pare të punëtorëve”, ka thënë Qëndrim Dedinca.

Agon Ferizi, kishte punuar për disa muaj si montazher në televizionin Tribuna. Ai thotë se ky televizion i ka mbetur borxh një shumë prej më 600 euro, dhe ankohet që nuk i është paguar Trusti Pensional.

“Borxhi që më ka mbet Tribuna është rreth 600 euro, borxh i cili është më shumë se dy vjet. Kurse, sa i përket Trustit pensional, i kam disa muaj vetëm të deklaruar, e jo të paguar, e disa të tjerë nuk figurojnë fare”, ka thënë ai.

“Padrejtësi më e madhe ndaj punëtorëve është nosdhënia e pages – pagë e cila ma marrëveshje bëhet që pas tre muajve të merret me rritje – rritje e cila nuk ndodhë thuajse asnjëherë. Kontratën e punës nuk ta japin, vetëm nëse shkon disa herë e kërkon, dhe të japësh ndonjë arsye të fortë për ta marrë kontratën e cila të takon”, shton Agon Ferizi.

Pos borxhit, pronarët kanë bërë presion për të mos folur

E.D. ka punuar si shofer për 11 muaj më Tribuna Channel, nga të cilat ai ka dalur pa i marrë 930 euro, dhe 10 muaj trust të papaguar.

“Tribuna m’i ka borxh 930 euro, ose katër muaj e gjysmë pa marrë pagë, nga 11 muaj sa kam punuar aty. Nga kjo kohë sa kam qenë punëtor i Tribuna Channel, mua më është paguar Trusti Pensional, vetëm një muaj, kurse 10 muaj jo.

Në “Tribuna Media Group”, sipas E.D është bërë diskriminim shumë i madh ndaj punëtorëve sikurse shoferave apo montazherëve.

“Unë si punëtor, së bashku me ekipe të ndryshme, e kemi rrezikuar jetën veç me pasë lajme kualitative edhe prapë nuk na është paguar mundi jonë, duke mos na i dhënë as pagat që e kishin obligim. Mbi të gjitha kemi hasur në një sjellje arrogante nga drejtorët, saherë që ua kemi kërkuar paratë tona, sikur ne u kemi pasur borxh, e jo ata neve”, ka thënë ai.

Shuma e borxhit të Tribuna Channel ndaj dikur kamermanit të këtij mediumi, Albatrit Leci, është 400 euro. Ai thotë se përkundër që kanë pasur paga të ulëta për punën që e kanë bërë, shumëherë atë nuk e kanë marrë, e herave tjera me shumë vonesa dhe probleme.

“400 euro është shuma e parave që Tribuna Channel nuk mi ka paguar. Asnjë muaj nuk ma kanë paguar Trustin Pensional. Kjo është një padrejtësi që na është bërë neve punëtorëve që kemi qenë aty. Për shkak se vazhdimisht kemi bërë punë të madhe, duke punuar edhe jashtë orarit të paraparë dhe po ashtu në mungesë të stafit është dashur që t’i mbulojmë shumë ngjarje, që nuk ka qenë marrëveshja kësisoj. Përkundër të gjithave, dhe mbi të gjitha përkundër pagave të ulëta që i kemi pasur, shpesh herë ato nuk i kemi marrë, edhe atëherë kur i merrnim, i merrnim me vonesa dhe me kokëqarje të mëdha”, ka thënë ish-kameramani i Tribuna Channel, Albatrit Leci.