Nga sulmet ajrore – së paku 14 vetë të vrarë në Siri

Nga sulmet ajrore – së paku 14 vetë të vrarë në Siri

Nga sulmet ajrore në qytetin Idlib, që është nën kontrollin e kryengritësve, janë vrarë së paku 14 vetë dhe plagosur dhjetëra të tjerë, ka njoftuar Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër.

Ky observator, i cili i ka vëzhguesit e vet në terren në Siri, tha sot se besohet se aeroplanët që bombarduan ishin të Rusisë.

Së paku 7 sulme ajrore e kanë goditur Idlibin, përfshirë edhe një hapësirë ku gjendet Spitali Kombëtar.

Aktivistët e grupeve të tjera kanë konfirmuar se ka të vrarë nga sulmet ajrore, por kanë dhënë shifra të ndryshme.

Komitetet lokale të koordinimit thanë se 10 vetë ishin vrarë kur u qëllua spitali, por nuk kanë pasur detaje për viktimat eventuale në pjesët e tjera të qytetit.

Mbrojtja Civile, grup që kryen operacione të shpëtimit, tha se dhjetëra vetë janë vrarë e qindra të tjerë janë plagosur.

Më 25 të këtij muaji, Rusia pat shpallur pauzë të përkohshme në fushatën e saj të sulmeve ajrore në mbështetje të regjimit të Sirisë, duke thënë se dëshiron që kryengritësve, të cilët e kanë nënshkruar armëpushimin, tu jepet mundësi t’i shkëpusin lidhjet e tyre me grupin al-Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën.

Moska nuk ka njoftuar se sa do të zgjasë kjo pauzë./rel