Nga pronësia e dyshimtë tek akuzat për ryshfet- Historia e Grandit që do shqyrtohet në Arbitrazh

Nga pronësia e dyshimtë tek akuzat për ryshfet- Historia e Grandit që do shqyrtohet në Arbitrazh

Gjithçka kishte nisur në vitin 2006. Biznesmeni deri atëherë i njohur vetëm si shqiptari më i pasur në botë ishte kthyer në Kosovë pikërisht në këtë vit  për të hapur partinë e tij Aleanca Kosova e Re.

Por bashkë me problemet politike që Pacollin e kishin ndjekur gjatë viteve në vazhdim një nga problemet më të mëdha biznesore ishte Hotel Grandi, raporton Insajderi.

Aq problem i madh është ky për kompaninë e Pacollit që gjatë këtyre viteve ka qenë zëvendëskryeministër dhe president për një kohë të shkurtër, sa e ka dërguar edhe në Gjykatën e Arbitrazhit.

Kjo gjykatë të hënën ia ka pranuar ta shqyrtojë padinë e tij kundër Qeverisë së Kosovës, raportoi Insajderi.

Krejt kjo çështje i ka fijet pikërisht tek viti i hershëm 2006.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e shiti hotelin në vitin 2006 për një shumë prej 8.1 milionë euro. Ajo, atëherë e administruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kishte lidhur kontratë me privatizuesin “Unio Commerce”, pronë e Zelqif Berishës.

AKP thoshte se blerës i kësaj ndërmarrje shoqërore ka qenë vetëm ‘Unio Commerce’, me pronar Zelqif Berishën dhe jo ndonjë kompani ose pronar tjetër.

Megjithatë Pacolli e kishte deklaruar si pasuri të patundshme hotelin “Grand” në formularët e deklarimit të pasurisë që dorëzohen në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Pacolli shënoi se ka pasuri në hotel në vlerë prej 3.3 milionë eurosh në deklarimin për vitin 2013. Të njëjtën vlerë ai e ka deklaruar në formularët e publikuar nga Kundër Korrupsioni edhe në vitin 2011 dhe vitin 2012.

Agjencioni Kosovar i Privatizimit vendosi më 31 maj të vitit  2012 që të tërhiqte aksionet e blerësit të hotelit “Grandit” në Prishtinë, pasi që privatizuesi dështoi që të përmbushte kontratën duke investuar mbi dhjetë milionë euro në të.

Pacolli nuk njihej nga shteti si pronar aksionesh as gjatë kohës sa ndërmarrja ishte e konsideruar nga Agjencioni i Privatizimit në pronësi private.

Pacolli ka pretenduar se ka fakte për pronësinë e tij në “Grand”.

Historia e Grandit do të shqyrtohet nga Gjykata e Arbitrazhit

“Për ‘Grandin’ janë paguar paratë dhe ky shtet i ka marrë ato. ‘Mabetexi’ i ka paguar paratë dhe nuk ka pasur qasje asnjëherë në Grand”,kishte thënë Pacolli shpeshherë në prononcimet e tija për media.

Ai e konsideronte cështjen e “Grandit” si problem qind për qind politik dhe se ky rast sipas tij dëshmon për gjyqësor jo të pavarur në Kosovë.

Kishte thënë se Grandi është shembulli më eklatant i politizimit të gjyqësisë sonë dhe uzurpimit nga njerëzit e “fortë”.

Ai kishte përmendi një vendim të Gjykatës Komunale të Prishtinës që kishte vendosur në favor të tij por pohonte se bashkëpronari i hotelit ishte ankuar dhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

“Një gjykatës i Gjykatës së Apelit e kishte kthyer në rishqyrtim për shkaqe të pakuptueshme dhe të pabaza. Ky rishqyrtim ende nuk është proceduar”, pohonte Pacolli pa përmendur emrin e gjykatësit dhe vitet se kur janë marrë vendimet e gjykatave.

Pacolli kurrë nuk kishte ka folur konkretisht as se për kë e ka fjalën kur përmend njerëz të fortë nga politika dhe as për atë se si ka mundur të ndikohet gjyqësori.

Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të AKP-së në vitin 2012 nuk ishte pajtuar as Zelqif Berisha. Ai kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit për tërheqje të aksioneve në Dhomën së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Kolegji i Specializuar  ia kishte refuzuar këtë ankesë.

Hotel “Grand” ishte regjistruar si ndërmarrje e re në prill të viti 2006 nga AKM-ja dhe pak kohë pas ishte privatizuar me metodën e “spin-off”-it special.

Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit (AKM) nënshkroi kontratë për shitblerje aksionesh me Zelqif Berishën, si pronar i kompanisë “Unio Comerce”.

Kontrata parashihte ruajtjen e natyrës së këtij biznesi, numrin e punëtorëve dhe investimin e një shume prej 20 milionë eurosh.

Deri në vitin 2010, sipas AKP-së, në “Grand” ishin investuar vetëm 1.2 milionë euro.

AKP-ja trashëgoi këtë kontratë dhe disa herë i ka tërhequr vërejtjen e dhënë privatizuesit që t’i përmbahet kontratës, derisa në proces kishin dalë përplasje brenda kapitalit financiar që privatizoi këtë NSH.

Biznesmenët Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi ngritën padi në Gjykatën Komunale kundër Zelqif Berishës.

Gazeta Zëri në mars të vitit të kaluar raportoi se vendimi i Gjykatës Komunale e njeh Pacollin për pronar të 40 për qind të aksioneve në hotel si dhe Remzi Ejupin për pronarë të 20 për qind të të aksioneve.

“Në aktgjykim thuhet se pas marrëveshjes nga ekstrakti i bankës rezulton se kompania ‘Eurokoha’ ka transferuar në konton e kompanisë ‘Unio Comerce’ shumën prej 4milionë e 11 mijë e 676 eurosh. Pas një kohe nga llogaria ‘Eurokoha’ janë transferuar edhe 1 milionë e 3 mijë e 200 euro”, raportoi gazeta Zëri.

“Pacolli e Ejupi deklaruan se Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Gazmend Abrashi dhe Naser Osmani u kishin kërkuar ryshfet në emër të Asanajt, ryshfet që arrinte në vlerë prej 4 milionë eurosh.

Pacolli në reagimet e tij publike pretendon se ai ia ka dhënë afro 4 milionë euro Berishës për të kryer pagesën.

Përveç kontestit të hisedarëve mes vete, në rastin Grand kishte pasura akuza për ryshfet ndaj zyrtarëve shtetërorë.

Remzi Ejupi, pronar i kompanisë “Eurokoha”, akuzoi publikisht ish-kryetarin e bordit të AKP-së Dino Asanajn, tashmë i ndjerë. Ejupi pohonte në emisionin Interaktiv në qershor të vitit 2012 se Asanaj i kishte kërkuar ryshfet zv/kryeministrit të Kosovës Behgjet Pacollit.

Një muaj më pas Asanaj vdiq nga plagët e marra me thikë. Autopsia përshkroi se bëhej për vetëvrasje. Prokuroria konstatoi se ishte vetëvrasje por po heton ende nëse ai ishte i shtyrë ta bënte këtë.

Në rastin e Grand-it prokuroria kishte nisur hetime bazuar në akuzat publike të Ejupit. Gazeta “Koha Ditore” publikoi intervistat e hisedarëve të pretenduar dhënë hetuesve të EULEX-it ku ata deklaronin se Dino Asanaj u kishte dërguar persona të tretë për t’u kërkuar ryshfet me kusht që AKP-ja të mos e merrte vendimin për tërheqje të aksioneve, siç edhe ndodhi në majin e 2012-ës.

Pacolli e Ejupi deklaruan se Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Gazmend Abrashi dhe Naser Osmani u kishin kërkuar ryshfet në emër të Asanajt, ryshfet që arrinte në vlerë prej 4 milionë eurosh.

EULEX-i hetoi mbi këto akuza, por mbylli hetimet ndaj të akuzuarve nga Pacolli e Ejupi në mungesë të provave.

Pacolli nuk komentoi publikisht rastin e këtyre hetimeve.

Ejupi në mars të këtij viti pohoi për Gazetën “Koha Ditore” se dyshonte se edhe Pacolli mund të jetë bërë pjesë e pazareve korruptuese për të mbyllur hetimet ndaj personave të përmendur për ryshfet.

“Është korrupsion. Lënda e krimit dhe e korrupsionit nuk plaket kurrë. Këta mund ta korruptojnë këndo sot, por prapë do të zbardhet rasti”, pati thënë ai për gazetën “Koha Ditore”.