Aventurat e kombëtares lituaneze në Kosovë

Nga hoteli me 5 yje tek çudia me palestrën e sporteve në Prishtinë

Kombëtarja e gjashtë më e mirë në botë për basketboll, Lituania erdhi në Prishtinë të enjtën. Të premtën, lituanezët mposhtën Kosovën me një diferencë prej më shumë se 30 pikësh. Ata u akomoduan në një nga hotelet më luksoz të Prishtinës, por patën ankesa për palestrën.

Nga hoteli me 5 yje tek çudia me palestrën e sporteve në Prishtinë

Nga Vilniusi e Lituanisë në Prishtinë mbërritën për një orë e gjysmë, me një avion privat. Basketbollistët e kombëtares së Lituanisë erdhën të enjtën për herë të parë në Kosovë dhe nuk kishin dëgjuar shumë për kombëtaren që do ta kishin përballë një ditë më vonë.

Madje, për herë të parë në Kosovë shkeli edhe legjenda e basketbollit lituanez e botëror, Arvydas Sabonios. Ish-basketbollisti i Portland Timbers erdhi si drejtues i Federatës së Basketbollit të Lituanisë, raporton Insajderi.


Kryetari i Federatës së Basketbollit të Lituanis, Arvydas Sabonis dhe legjenda e basketbollit lituanez

Përshtypjet e para ishin të mira, pavarësisht fjalëve që mund të kishin dëgjuar për Kosovën – Republikën më të re në Evropë, që kishte dalë nga lufta më pak se dy dekada më parë.

“Kam dëgjuar pak për Kosovën”, deklaroi Eimantas Bendis, basketbollisti i Lituanisë, pasi kishte mbërritur në Kosovë. “Por një bashkëlojtar i imi, në klubin tim në Spanjë, një ukrainas, ka luajtur ndaj Kosovës më parë. Ai më tha se kishte qenë gjithashtu i shqetësuar, por po shoh se hoteli është super. E pra, le të shohim”.

Plani i lituanezëve për udhëtimin në Kosovë, parashihte vetëm dy ditë qëndrim: Nga e enjtja deri të premtën. Kishin planifikuar që ta zhvillonin vetëm një stërvitje në Prishtinë, raporton Insajderi.

Me të zhvilluar stërvitjen e parë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, lituanezët filluan ankesat për parketin e sallës. Stërvitja e parë dhe e vetme në Prishtinë ishte e çuditshme për ta. Kështu e përshkruan edhe mediumi lituanez 15min.lt, që përcillte nga afër skuadrën lituaneze.


Basketbollisti i Lituanisë, Renaldas Seibutis stërvitet një ditë para ndeshjes kundër Kosovës

“Një ndjenjë e çuditshme në stërvitje. Palestra kryesore me 8 mijë ulëse, ishte djegur nga serbët gjatë luftës në Kosovë, teksa tani është shndërruar në një parking. Por, palestra me 3 mijë ulëse mbijetoi”, shkruan mediumi lituanez, 15min.lt, raporton Insajderi.

“Një sallë pa standarde”, thotë Adas Juškevičius, njëri nga basketbollistët më të mirë lituanez teksa po bëhej gati të stërvitej në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve. “Nuk është e madhe, por shumë afër ulëseve të shikuesve. Salla do të jetë e mbushur, dhe sigurisht nuk do të jetë e lehtë të luhet këtu”.

Një ditë pas kësaj stërvitje Lituania vihej përballë Kosovës, një kundërshtari të panjohur për ta – i cili kishte hyrë në FIBA vetëm dy vite më parë. Një sallë e mbushur me tifozë kosovarë, priti edhe rreth 200 tifozë lituanezë që ishin mbledhur në sektorin e tifozëve mysafir.

Kur nisi ndeshja, tri herë kampioni evropian ndjeu presionin e tifozerisë së Kosovës; ndjeu po ashtu frikën nga dy basketbollistë që e mbajtën Kosovën në një nivel të barabartë me Lituaninë në pjesën e parë: Dardan Berisha dhe Scott Bamforth.


Dardanët krijuan një atmosferë që u la përshtypje edhe lituanezëve

Kosova u mbajt për mrekulli në pjesën e parë, përderisa arriti të përmbyllë çerekun e parë të takimit në epërsi, 21-20, kurse çereku i dytë përfundoi 14-15 për lituanezët. Ekipet shkuan në pushimin e pjesëlojëve me rezultat të barabartë prej 35-35.

Lituania ndezi “motorët” në pjesën e dytë, po ashtu bllokoi dy basketbollistët e vetëm që po “luanin” tek Kosova. Berisha dhe Bamforth u shuan, e Lituania e mbylli çerekun e tretë me epërsi prej 13 pikëve, 12-25.

Forma e lartë e tyre vazhdoi edhe në çerekun e fundit, kurse rezultati përfundimtar i takimit ishte 61-99. Juskevicius ishte basketbollisti më i mirë i ndeshjes tek lituanezët: shënoi 16 pikë.

Ndërsa, më të mirët në parket në radhët e Kosovës ishin Dardan Berisha me 19 pikë, dhe Bamforth me 17 sosh.


Basketbollisti i Kosovës Dardan Berisha – më i miri në ndeshjen e së premtës – shënoi 19 pikë  

E veçantë ishte edhe përshëndetja e basketbollistëve kundërshtarë me tifozët e tyre, që kishin udhëtuar nga Lituania. Falënderimi dhe përshëndetja e veçantë për tifozët, ishte një shembull që basketbollistët e njohur lituanez dhanë nga Prishtina.

Pas përfundimit të takimit, trajneri i Lituanisë, Dainius Adomaitis dha disa arsye pse Lituania e famshme, hasi në vështirësi ndaj një kundërshtari të ri si Kosova, në pjesën e parë të takimit.

“Unë mendoj se në pjesën e parë të lojës kemi bërë shumë gabime në mbrojtje. Ndoshta nervozizmi ishte pasojë”, deklaroi Adomaitis. “Në pjesën e parë ne nuk bëmë faulle kur duhej t’i bënim ato, por i bëmë kur ishim futur në bonus. Ata i shfrytëzuan këto gabime. Por, në pjesën e dytë u përmirësuam në lojë dhe arritëm qëllimin”.

Trajneri i Lituanisë foli edhe për atmosferën e krijuar nga tifozët e Kosovës, Dardanët. “Po, atmosfera ishte e nxehtë, edhe pse ishim përgatitur në mënyra të ndryshme.” Por, ai thotë se basketbollistët e tij ishin përgatitut për t’u ballafaquar me çdo rrethanë në Kosovë.

“Ishim të gatshëm dhe e dinim se me mbrojtjen tonë ne mund të kontrollonim takimin dhe spektatorët. Kjo është ajo që patë në pjesën e dytë”, deklaroi trajneri i Lituanisë.

Vetëm një orë e gjysmë pas ndeshjes, lituanezët kishin planifikuar udhëtimin për rikthim në Vilnius. Aventura e tyre e pazakontë në Kosovë përfundoi me një fitore shpartalluese ndaj Kosovës. /Insajderi.com