Nga djegia e gruas, tek seksi me lopën – vakitë e kosovarëve në Evropë

Muaji korrik i këtij viti ka qenë muaj i vakive dhe i të bëmave të shqiptarëve nga Kosova nëpër Evropë. Në Zvicër, Itali e Gjermani kosovarët kanë qenë pjesë e kronikave të zeza, duke shkaktuar tragjedi familjare e skandale shoqërore.

Më 18 korrik, një kosovar në Zvicër doli para Gjykatës Kantonale të Saint Gallenit nën akuzën se kishte bërë seks me një lopë. Kosovari 59-vjeçar e pranoi veprën jo të zakonshme që ka kryer.

Ai e kishte pranuar se kishte kryer seks me një lopë disa herë.

Gjykata e bëri fajtor jo vetëm për mizori ndaj kafshëve, por edhe e shkelje për veprën penale, që është cenimi i pronës private, kjo pasi natën disa herë është futur në stallën e bujkut.

“Unë kërkoj falje për atë që kam bërë. Unë nuk mund të shpjegoj se si mua më ka ndodhur diçka si kjo”, citohet të ketë thënë kosovari, raportonin mediet zvicerane.

Ndërsa tre ditë më parë, natën e 15 korrikut, një kosovar 52-vjeçar në Gjermani shkaktoi tragjedi brenda familjes.

Një burrë 52-vjeçar, i cili kishte origjinë kosovare – siç raportoi gazeta Bild – kishte shtënë me armë zjarri mbi bashkëshorten e tij, 45-vjeçe, dhe të dashurin e bijës së tij, duke i lënë të vdekur ata, në Nurentingen të Gjermanisë.

Kryesi i krimit ishte arrestuar në vendngjarje.

Para vrasjes së dyfishtë kishte filluar një zënkë në mes burrit dhe gruas së tij në shtëpinë e tyre. 52-vjeçari më pas ishte larguar për një kohë të shkurtër nga shtëpia.

Në orën 22:30 asaj nate, ai ishte kthyer në shtëpi, duke hyrë së pari në kopshtin e ndërtesës. Në këtë kohë, bija e tij dhe i dashuri i saj gjithashtu ishin në apartament.

Vajza po tentonte ta ndalonte babanë e saj në derën e shtëpisë së tyre. Më pas 52-vjeçari kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë. Ai vrau gruan e tij dhe të dashurin e bijës së tij.

E një tjetër vaki i ndodhi një kosovari në Itali.

Siç raportonte dje mediumi italian Bologna.Reppublica.it, një shqiptar nga Kosova sulmoi me thikë gruan e tij dhe më pas e djegu atë me acid në banesën e tyre në Itali.

Ngjarja ndodhi të shtunën në apartamentin e një ndërtese në Salinatore të komunës Forli.

37-vjeçarja shqiptare, e cila u dërgua në spital, raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi mori plagë dhe djegie.

Burri nga Kosova është shpallur në kërkim nga policia italiane. /Insajderi.com