Neymar: Pa Messin nuk ka kuptim, sepse ai është Barcelona

Neymar është pa diskutim një ndër pikat më të forta të Barcelonës dhe këtë e tregoi qartë edhe në kualifikimin historik të katalanasve përballë PSG, ku azulgranët përmbysën dizavantazhin 4-0 duke fituar në “Camp Nou” 6-1 falë edhe dy golave të brazilianit.

Në një intervistë për “El Mundo Deportivon” sulmuesi i rikthehet atij momenti dhe gjithashtu thekson se këtë sezon Barca i ka të gjitha shanset për të triumfuar në shumë drejtime

“Ishte unikale, ishte një ndeshje të cilën e luajtëm në kufijtë e së pamundurës. Ai triumf na ka veshur me eufori dhe e shohim me mjaft optimizëm pjesën e mbetur të sezonit. Mendoj vërtetë se Barcelona mund të fitojë në të gjitha frontet, nëse skuadra ka dozat e duhura të lumturisë dhe përqendrimin e nevojshëm, atëherë askush nuk na ndal”, u shpreh 25-vjeçari.

Më pas Neymar foli edhe në lidhje me rinovimin e kontratës së Lionel Messit , ndërkohë që vetë do të nënshkruajë zgjatjen e marrëveshjes deri në vitin 2021.

“Ëndrra ime që i vogël ka qenë të isha pjesë e Barcelonës dhe për mua fakti që luaj këtu është një ëndërr e realizuar . Mendoj se kjo skuadër pa Mesin nuk ka kuptim, sepse Messi është Barcelona dhe Barcelona është Messi. Përsa i përket largimit të Enriques mund t’ju them se do të jetë e çuditshme të mos punoj më me të”,përfundoi ylli brazilian i ekipit nga Katalonia.

Neymar këtë fundjavë kundër Granadës do të ketë mundësinë të realizojë golin e 100.