Neuer, kapiten i ri i Gjermanisë

Neuer, kapiten i ri i Gjermanisë

Gjermania vijon përgatitjet për ndeshjen me Norvegjinë për eliminatoret e Botërorit 2018. Skuadra kampione e Botës do të ketë një kapiten të ri dhe bëhet fjalë për Manuel Nojer, që pason Bastian Shvajnshtajger, i cili i dha lamtumirën kombëtares gjermane me miqësoren ndaj Finlandës.

Drejtori i Kombëtares gjermane Oliver Bierhoff deklaroi se është i kënaqur me zgjedhjen që është bërë në këtë pikë, por vuri në dukje se gjithsesi kapiteni është vetëm një pjesë e skuadrës

“Është shumë e rëndësishme që të kesh një kapiten, pasi ai merr rolin e liderit dhe bën që gjërat të shkojnë përpara. Jam i kënaqur me zgjedhjen e bërë, pasi Nojer është një lojtar që ka integritet, i pëlqen të mbajë përgjegjësi dhe ka një personalitet të fortë”, tha ai.

Vetë Nojer deklaroi se ndihet krenar për rolin që iu dha dhe se shpreson që të jetë në nivelin e paraardhësve të tij.

“Mendoj se puna që ka bërë Lahm si kapiten ishte shumë e mirë dhe e suksesshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shvajnshtajger. Shpresoj që të jem në gjendje që të eci në gjurmët e tyre”, tha kapiteni i ri i Panzerave.