Nesër në Prishtinë mbahet protestë kundër Vuk Jeremiqit

Një protestë kundër ish-ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili ka kandiduar për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të mbahet nesër në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë në orën 12.

Nesër në Prishtinë mbahet protestë kundër Vuk Jeremiqit

Organizatoret e protestës – Jeta Berisha dhe Fatbardha Kiqina – kanë thënë se protesta “nuk ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj popullit serb, por do të jetë reagim i popullit të Kosovës ndaj kandidimit të antishqiptarit më të madh serb për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së”.

“Është e patolerushme për ne që, një njeri i cili e ka shpallur haptazi urrejtjen ndaj një populli tjetër, të kandidohet në postin e njeriut që supozohet ta ruaj paqen në botë”, thuhet në një njoftim të organizatorëve.  Sipas tyre, në protestë do të marrin pjesë edhe partitë politike të Kosovës.

Diplomati që njihet për diskurs të ashpër ndaj pavarësisë së Kosovës, ka dalë i dyti me mbështetje në fazat fillestare të votimit në organet e OKB-së kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të zgjedhjeve.

Në vitin 2012, para se të largohej nga posti ministror, Jeremiq hapur thoshte se në ato takime ose organizata ku merr pjesë Serbia nuk mund të marrë pjesë edhe Kosova.

“As në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglidnore, as në Këshillin e Evropës, as në OSBE dhe në asnjë institucion ose agjenci që është në kuadër të sistemit të OKB-së”, kishte thënë Jeremiq në takimin e ministrave të Jashtëm të rajonit në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Muajin e kaluar, Jeremiq deklaroi për mediat serbe se është optimist për kandidaturën e tij. Sipas tij, kandidatura e tij është një rast për të përmirësuar imazhin e Serbisë.

Insajderi ka raportuar javën e kaluar se kandidimi i tij ka nxitur reagim në Prishtinë por edhe në Srebrenicë të Bosnjës. 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se zgjedhja e tij nuk e dëmton vetëm Kosovën por edhe stabilitetin në rajon.  Për këtë qëllim, ai thotë se ka filluar takime bilaterale me diplomëtë të vendeve të ndryshme për të treguar qëndrimin e Kosovës lidhur me kandidaturën e Jeremiq.

“Zgjedhja eventuale e tij si sekretar i përgjithshëm do të kishte ndikim negativ në Kosovë për faktin se ai mund të përpiqet ta shfrytëzoj pozitën e tij për të kundërshtuar njohjen diplomatike të Kosovës, penguar anëtarësimin e Kosovës në agjenci”, ka thënë ministri Hoxhaj./Insajderi.com