“Nëse kthehemi në Kosovë, fëmija ynë nuk do të mund të ecë më kurrë”

“Nëse kthehemi në Kosovë, fëmija ynë nuk do të mund të ecë më kurrë”

Arbëri i vogël është tre muajsh dhe një foshnje e ëmbël. Ai qesh i lumtur në shtratin e tij. Ai nuk e di, që ai dhe familja e tij brenda tre muajve do të dëbohen nga Gjermania për në Kosovë, shkruan gazeta gjermane Bild.

Foshnja ka ardhur me një deformim të rëndë në jetë. Këmbët e tij me deformim janë operuar në klinikën e fëmijëve të “Profesor Hess” në Bremen të Gjermanisë. Tani ato janë të fiksuara me një mjet për t’i mbajtur në rregull dhe duhet të kontrollohen me rregull dhe të shikohet se kur ka nevojë për ndonjë ndryshim.

Babai i Arbërit, Bekimi, i cili është punëtor i ndërtimit dhe kopshtar, ka ardhur në Bremen nga Kosova si azilkërkues me gruan e tij Shyhreten 33-vjeçare dhe vajzën Arnela 5-vjeçe, në janar të vitit 2015, njofton Insajderi.

Kërkesa e tyre për azil është refuzuar vitin e kaluar. Familja ishte gjithashtu e gatshme të kthehej, por më pas erdhi në jetë foshnja e tyre e sëmurë.

“Fëmija ynë duhet të mjekohet deri në moshën pesë vjeçare. Kjo është e pamundur në Kosovë. Atje ky trajtim mjekësor do na kushtonte një mal me para. Kjo do të thotë që Arbëri nuk do të mund të ecë asnjëherë si duhet”, thotë Bekimi, babai i fëmijës.

Rose Gerdts-Schiffler 56-vjeçe, përfaqësuese brenda ministrisë së Brendshme të landit të Bremenit, thotë që kjo çështje do të ekzaminohet.

“Çështja e Arbërit të vogël do të ekzaminohet tani nga zyra federale për migrim dhe refugjatë. Nëse dëbimi do të ndodhë përkundër sëmundjes, familja duhet t’i drejtohet Komisionit për Çështje të Rënda të Bremenit”, ka thënë ajo.

Babai i foshnjës, Bekimi ka thënë që do ta bëjë këtë medoemos.

“Ne do të luftojmë për shëndetin e djalit tonë”, ka thënë ai. /Insajderi.com